Gonzato: Të rinjtë të besojnë se e ardhmja e tyre është në Shqipëri

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato mori pjesë në konferencën e organizuar nga Ministria e Arsimit me fokus rritjen profesionale të mësuesve.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, në praninë e kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shqiptarë, Gonzat e vuri theksin në faktin që Bashkimi Evropian mbështet arsimin dhe të rinjtë, me qëllim që ata të besojnë se e ardhmja e tyre është në Shqipëri.

Ai tha se investimet e BE janë rritur masivisht në mbështetje të sistemit arsimor në Shqipëri.

“Shembulli më i dukshëm është programi “BE për shkollat”, përmes së cilit është mbështetur rindërtimi dhe rehabilitimi i 64 shkollave në Shqipëri, 52 prej të cilave janë përfunduar. Nga këto shkolla të rindërtuara, nxënësit do të përjetojnë një mjedis të ri për të studiuar dhe do të përfitojnë nga kushtet më të mira për jetën e tyre profesionale”, tha Gonzato./ (1 shkurt)

BE: Veprime urgjente për përmirësimin e situatës së të burgosurve me çrregullime mendore

Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato apeloi për veprim urgjent për të përmirësuar situatën e të burgosurve me çrregullime mendore në Shqipëri.

Gjatë një takimi me presidentin e Këshillit të Evropës për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor ose Degradues apo Ndëshkimit, Alan Mitchell, Gonzato u shpreh se “ka nevojë për më shumë koordinim midis institucioneve të kujdesit shëndetësor, burgjeve dhe profesionistëve të shëndetit mendor për të përmirësuar situatën e të burgosurve me çrregullime mendore”.

Sipas tij, bashkëpunimi mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë në Shqipëri është kyç.

Gjithashtu, në takim palët folën edhe për trajtimin dhe kushtet e personave që mbahen në paraburgim dhe burgje./ (1 shkurt)

Projekti i BE në mbështetje të parqeve kombëtare

Parku Kombëtar i Divjakës, rreth 100 kilometra në jugperëndim të Tiranës, ka një sipërfaqe prej 22 230 hektarësh dhe është shtëpia sezonale e qindra pelikanëve kaçurrelë.

Projekti “Natyra”, i financuar nga Bashkimi Evropian, ka ndihmuar për ndërtimin e një kulle vëzhgimi për të përmirësuar përvojën e vizitorëve dhe vëzhgimin e jetës së egër.

Po ashtu, ka ndihmuar në përgatitjen e tabelave informative, si dhe shtigjeve të shënuara brenda zonave të mbrojtura për të lehtësuar lundrimin dhe për të rritur ndërgjegjësimin për biodiversitetin.

Nga projekti u arrit pajisja e stafit të administratës së zonave të mbrojtura me uniformat dhe mjetet e nevojshme monitoruese si dylbi, kamera të fshehta, automjete dhe pajisje detare për të rritur aftësitë monitoruese dhe menaxhuese të parkut./ (1 shkurt)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.