Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Shqipërisë mbajtën në Tiranë takimin e parë të Komisionit Monitorues të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, një element kyç i Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Fokusi ishte se si po i zbaton Shqipëria reformat që do ta sjellin më pranë Bashkimit Evropian dhe do të zhbllokojnë mundësitë për investime deri në 922 milionë euro, duke ofruar përfitime të prekshme për qytetarët edhe para anëtarësimit të vendit në BE.
Takimi u bashkëkryesua nga Sigrid Brettel, Shefe Njësie në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore dhe Eridana Çano, Koordinatore Kombëtare e Shqipërisë për Instrumentin për Reforma dhe Rritje dhe Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmave.
Gjithashtu morën pjesë përfaqësues nga institucione të pavarura, shoqëria civile, bota akademike, institucionet financiare ndërkombëtare të sektorit privat dhe komuniteti diplomatik.
Agjenda e Reformave e Shqipërisë është e lidhur ngushtë me procesin e anëtarësimit në BE, e hartuar për të ofruar përfitime të hershme të anëtarësimit, për ta afruar vendin me Tregun Unik të BE-së dhe për të forcuar bashkëpunimin rajonal.
Çdo arritje kyç e reformave zhbllokon mbështetjen financiare të BE-së në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, i cili së bashku me fondet e para-anëtarësimit IPA do të nxisë më tej rrugën e integrimit të Shqipërisë.
Komisioni shqyrtoi progresin e Shqipërisë që nga korriku 2024 deri në qershor 2025, që aktualisht po vlerësohet nga Komisioni Evropian, ndërsa një vlerësim i plotë pritet në tetor. Nëse përmbushen të gjitha hapat e reformës, Shqipëria mund të presë një pagesë të re granti nga Komisioni, pas financimit paraprak prej 64.5 milionë eurosh të akorduara deri më tani.
Brettel nga Komisioni Evropian vlerësoi punën e administratës shqiptare në të gjitha nivelet për arritjen e objektivave të reformës. “Tani është koha që Shqipëria të dyfishojë zbatimin e reformave. Duke demonstruar aftësinë e saj për të planifikuar, zbatuar, monitoruar dhe dhënë rezultate, Shqipëria po tregon se do të ketë kapacitetin për të trajtuar instrumente komplekse financiare të BE-së në rrugën e saj të ardhshme”, tha ajo.
Çano theksoi se Instrumenti për Reforma dhe Rritje është më shumë sesa një paketë financiare; ai përfaqëson një model të ri qeverisjeje të ndërtuar mbi bashkëpunimin, transparencën, llogaridhënien dhe dialogun.
“Ky proces ka qenë transformues. Ai mobilizoi gjithë qeverinë, angazhoi parlamentin, institucionet e pavarura dhe palët e interesuara, si dhe vuri në provë sistemet tona nën trysni. Ai zbuloi si pikat e forta ashtu edhe fushat që kanë nevojë për përmirësim. Mbi të gjitha, ai demonstroi se Shqipëria mund t’i zbatojë reformat në kohë, në mënyrë transparente dhe në përputhje me standardet e BE-së”, tha ajo.
Pjesëmarrësit shqyrtuan reformat në pesë fusha parësore të agjendës kombëtare të Shqipërisë: përmirësimi i klimës së biznesit, zhvillimi i kapitalit njerëzor, çuarja përpara e energjisë, inovacionit digjital dhe infrastrukturës, si dhe forcimi i sistemit të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës. Ata diskutuan gjithashtu se si reformat mund të përkthehen në përmirësime reale dhe të dukshme për njerëzit dhe bizneset.
Qeveria prezantoi sistemet e monitorimit dhe auditimit që ka krijuar për të garantuar që fondet të menaxhohen në mënyrë efektive dhe transparente, si dhe planet e saj për të forcuar komunikimin me qytetarët.
Pjesëmarrësit ritheksuan angazhimin e tyre të fortë për të garantuar që Agjenda e Reformave të ketë sukses, si dhe theksuan nevojën për të përshpejtuar reformat dhe investimet për të çuar përpara rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor synon t’i sjellë Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit përfitime të hershme të anëtarësimit në BE – siç është qasja në Tregun Unik Evropian dhe integrimi në tregun e përbashkët rajonal – duke çuar përpara reformat kryesore.
Përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje, Shqipëria mund të marrë deri në 922 milionë euro në kredi dhe grante, varësisht nga sa me sukses e zbaton Agjendën e saj të Reformave.
Këto reforma trajtojnë disa nga sfidat më të mëdha të Shqipërisë: luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, uljen e informalitetit në ekonomi, forcimin e gjyqësorit, përmirësimin e arsimit dhe aftësive, modernizimin e infrastrukturës dhe mbështetjen për energjinë dhe tranzicionet digjitale.
Plani i Rritjes së BE-së për Shqipërinë është pjesë integrale e procesit të përgjithshëm të integrimit në BE dhe negociatave të vazhdueshme për anëtarësimin në BE. (26 shtator)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.
