Mbështetja e BE ofron mundësi të reja për dhjetëra familje
Mundësi të reja ka sjellë financimi i BE për komunitetin me mbi 120 familje në Elbasan, 40 kilometra në juglindje të Tiranës.
Mes këtyre familjeve janë ato që përfitojnë nga projekti “Inclusive EduJobs”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian që bashkon 15 fermerë të komunitetit egjiptian.
Së bashku, ata po kultivojnë produkte bujqësore dhe po eksplorojnë tregje të reja.
Fermerët kanë marrë mbështetje për plehrat kimike dhe trajnim për teknikat e kultivimit të ullirit dhe perimeve./ (28 dhjetor)
Projekti i financuar nga BE, punësim për familjet rome dhe egjiptiane
Projekti “Nga fusha në treg” zbatohet nga Shoqata e Burimeve Gjenetike Bimore (APGR) dhe është pjesë e programit më të gjerë “Inclusive EduJobs”, zbatuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur në Shqipëri dhe financuar nga Bashkimi Evropian.
Programi synon të krijojë mundësi të reja pune për 266 anëtarë brenda komunitetit rom dhe egjiptian, me 80 individë të synuar për role brenda sektorit të bujqësisë.
Gjithashtu, 190 studentë do të marrin bursa, ndërsa 1 800 studentë romë dhe egjiptianë do të përfitojnë nga programet e përziera mësimore.
Programi synon të përmirësojë përfshirjen e grave dhe burrave, djemve dhe vajzave nga komunitetet rome dhe egjiptiane në Shqipëri, si dhe të forcojë kapacitetet bashkiake për të krijuar dhe ofruar shërbime gjithëpërfshirëse për qytetarët romë dhe egjiptianë në punësim dhe arsim gjithëpërfshirës. (28 dhjetor)
BE 6 skema të reja për mbështetjen e komunitetit rom dhe egjiptian
Delegacioni i Bashkimit Evropian njoftoi 6 skema të reja për të mbështetur arsimin dhe punësimin për komunitetin rom dhe atë egjiptian.
Që prej dhjetorit, arsimi dhe punësimi do të diskutohen në një forum të posaçëm politikbërës, duke garantuar kështu qëndrueshmërinë e ndërhyrjes.
Gjatë punës së Platformës, do të hartohen dhe përshtaten në mënyrë efektive politika të reja me fokus arsimimin dhe punësimin e pakicave rome dhe egjiptiane.
Projekti financohet nga BE dhe zbatohet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Bashkia Tiranë dhe KMOP./ (28 dhjetor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.