EU4Schools – Inaugurohet shkolla dhe kopshti në Lezhë

U inaugurua shkolla 9-vjeçare dhe kopshti “Fran Ivanaj” në Ishull-Shëngjin, Lezhë, 90 kilometra në veriperëndim të Tiranës, ku 179 nxënës, 47 fëmijë dhe 17 mësues nisën vitin akademik në mjedise tërësisht bashkëkohore, të njëjta me ato të vendeve të Bashkimit Evropian.

Përfaqësuesit e delegacionit të BE-së, UNDP-së, Ministrisë së Arsimit dhe autoriteteve lokale u përshëndetën me një program festiv. Më tej, ata u angazhuan me mësuesit dhe fëmijët në ambientet moderne të kësaj shkolle.

“Fran Ivanaj” është një prej 45 objekteve arsimore të rindërtuara ose riparuara deri tani në kuadër të programit EU4Schools, të implementuar nga PNUD në Shqipëri.

Përafërsisht 11 600 fëmijë dhe nxënës mësojnë  në mjedise të sigurta, moderne dhe dinjitoze për zhvillimin e procesit mësimor. Ndërkohë, 14 objekte arsimore janë aktualisht në proces rindërtimi apo riparimi./ (20 nëntor)

BE fushatë ndërgjegjësimi në Shqipëri për çështjet mjedisore

Delegacioni i BE-së në Shqipëri nisi një fushatë të re që do të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve shqiptarë, politikëbërësve, shoqërisë civile, bizneseve dhe aktorëve të tjerë rreth çështjeve mjedisore që prekin vendin.

Fushata e Gjelbër e BE-së i fton të gjithë të ndërmarrin hapa konkretë dhe t’i bashkohen Rrugës së Gjelbër.

Delegacioni i Bashkimit Evropian përcolli një thirrje për ndërmarrjen e një sërë masash, që shtrihen nga zgjedhjet individuale deri te iniciativat dhe politikat publike, me qëllim ruajtjen e mjedisit sipas standardeve evropiane. 

Dita e pastrimit të lumit në bashkinë e Kurbinit, 45 kilometra në verilindje të Tiranës, shënoi nisjen e fushatës. Shtetet anëtare të BE-së, zbatuesit dhe përfituesit e projekteve të financuara nga BE-ja, shoqëria civile, komuniteti lokal, organizatat ndërkombëtare, studentët dhe përfaqësuesit e medias ishin pjesë e një aktiviteti pastrimi për një ditë të plotë në pikën e bashkimit të lumenjve Fan dhe Mat, duke sjellë mbetjet nga fshatrat dhe zonat urbane përreth.

Dita vijoi me diskutim të hapur rreth strategjive për reduktimin e përdorimit të plastikës, gjenerimit të mbetjeve dhe ndotjes./ (20 nëntor)

Soreca: Shkolla e Integrimit Evropian ndihmë konkrete drejt anëtarësimit

I ngarkuari me Punë i Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadori Luigi Soreca ishte i pranishëm në ceremoninë e përfundimit të Shkollës së Integrimit Evropian ku iu dorëzoi certifikatën 38 pjesëmarrësve.

Ai u uroi suksese personalisht edhe një klase tjetër nga Shkolla e Integrimit Evropian, të ardhur këtë vit në ditëlindjen e saj të 8-të.

Ambasadori Soreca shkëmbeu ide me pjesëmarrësit e certifikuar tashmë nga Shkolla e Integrimit Evropian, nismë që mbështetet nga delegacioni i BE në Tiranë.

“Besoj shumë se talenti dhe vendosmëria e tyre do ta ndihmojnë konkretisht Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”, u shpreh ambasadori Luigi Soreca./ (20 nëntor)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.