95,1 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale

Buxheti i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vitin 2023 parashikohet në vlerën 95,1 miliardë lekë dhe zë rreth 14% të totalit të shpenzimeve publike ose 4,5% të PBB.

Ky buxhet është 3,5% më i lartë se buxheti aktual apo 3,2 miliardë lekë më shumë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi se ka rritje të buxhetit në vitin 2023, i cili është dy herë më i lartë se ai në vitin 2013 dhe 30% më i lartë krahasuar me buxhetin e vitit parapandemik 2019.

Përsa i përket dy sektorëve, të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale buxheti parashikohet respektivisht në vlerën 64,5 miliardë lekë dhe 30,6 miliardë lekë duke financuar gjashtë programe.

Në këtë buxhet janë përfshirë politikat e reja, gjithashtu edhe politikat ekzistuese të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Manastirliu tha se buxheti i vitit 2023 do të financojë Programet e Mbrojtjes së Shëndetit Publik, nëpërmjet mbështetjes në vazhdim të financimit të programit të përgjigjes së impaktit ndaj Covid-19, testimit dhe vaksinimit anticovid, vaksinimit kundër gripit, programit të plotë të imunizimit të fëmijëve si dhe financimit për të parën herë të vaksinave falas kundër Human Papilloma Virus nga e cila përfitojnë rreth 15,000 adoleshente.

Gjithashtu do të vijohet me Programin e Kujdesit të Syve për fëmijët 4-14 vjeç dhe Programin e Kujdesit Dentar në shkolla, ku përfitojnë mbi 270,000 fëmijë.

Për sa i përket rimbursimit të barnave, Manastirliu ka deklaruar se buxheti i vitit 2023 siguron mbështetjen e mbi 410,000 qytetarëve, në përgjigje të trajtimit të sëmundjeve kronike dhe impaktit postcovid-19 për rimbursimin e barnave falas, nëpërmjet rritjes së financimit të skemës së rimbursimit në vlerën 11,4 mld lekë ose 3,6% më shumë se në vitin 2022./ (12 nëntor 2022)

Rritje e pagave për mjekët, mbështetje nënave kryefamiljare

Rritja e pagave për personelin mjekësor është parashikuar të vijojë edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm me 6% ndërsa janë rritur me 63% që nga 2013.

Përgjatë vitit 2022 janë punësuar më shumë se 260 mjekë si dhe 100 mjekët specialistë që përfunduan procesin e specializimeve këtë vit. Gjithashtu në 2022 u punësuan më shumë se 700 infermierë.

Buxheti i vitit 2023 do të mbështesë të gjitha kategoritë në nevojë me fokus të veçantë nënat kryefamiljare me më shumë se tre fëmijë.

Qeveria ka parashikuar gjithashtu mbështetjen e grave të papuna me shumë fëmijë. Ky program planifikon të financohet në vlerën 600 milionë lekë dhe mbështet çdo grua me tre apo më shumë fëmijë deri 18 vjeç, të papuna, me të ardhura familjare deri në 10 mijë lekë/muaj duke subvencionuar nga shteti masën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore si një mbështetje direkte për kujdesin në pesë vitet e para të fëmijës./ (11 nëntor 2022)

400 qendra të reja shëndetësore

Buxheti i vitit 2023 vijon të financojë programin për modernizimin e infrastrukturës të shërbimit shëndetësor në të gjitha nivelet duke nisur nga qendrat e kujdesit parësor në ato spitalor, me synim rritjen e cilësisë së ofrimit shëndetësor për qytetarët, duke kapur vlerën 3,6 miliardë lekë.

Ministria e Shëndetësisë do të nisë rehabilitimin e spitaleve rajonale të Dibrës, Lezhës dhe Spitalit Bashkiak të Krujës.

Ky buxhet do të mbështesë rehabilitimin e 60 qendrave shëndetësore dhe ambulancave duke e çuar numrin e tyre në 400 që nga fillimi i programit.

Gjithashtu do të financohet rehabilitimi dhe pajisja për poliklinikat në spitalet rajonale të Elbasanit, Shkodrës dhe Durrësit, do të rikonstruktohen poliklinikat e Gjirokastrës dhe Dibrës.

Për të parën herë do të ndërtohet qendra laboratorike e Institutit të Shëndetit Publik në fazën e parë të tij dhe më pas shtrihet në rehabilitimin e Institutit të Shëndetit Publik dhe pajisjen e tij./ (11 nëntor 2022)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.