BE: ETIAS nuk do të hyjë në fuqi përpara fundit të vitit 2024
Komisioni Evropian paraqiti në nëntor 2016 një propozim për Sistemin Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), i cili synon të forcojë kontrollet e sigurisë për njerëzit që udhëtojnë pa viza drejt vendeve të BE.
Zyra e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë iu përgjigj interesimit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare duke informuar se ETIAS nuk do të hyjë në fuqi përpara fundit të vitit 2024, ndërsa gjashtë muaj përpara fillimit të ETIAS-s do të nisë një fushatë informimi.
Por, a do të thotë kjo se qytetarët shqiptarë do të lëvizin pa asnjë kufizim, siç ka qenë deri tani, apo do të ndryshojë diçka?
Delegacioni i BE sqaron se, “për të hyrë dhe qëndruar në territorin e 30 vendeve evropiane që kërkojnë ETIAS për një periudhë afatshkurtër (deri në 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore) do të kërkohet një autorizim udhëtimi ETIAS”.
Megjithatë, për sa i përket lirisë së lëvizjes, asgjë nuk do të ndryshojë, pasi një autorizim udhëtimi ETIAS nuk është vizë.
Delegacioni i BE gjithashtu sqaroi se qytetarët nuk do të pajisen me kod përpara se të udhëtojnë. Autorizimi i udhëtimit ETIAS do të lidhet drejtpërdrejt me pasaportën e udhëtarit. Ai do të jetë i vlefshëm deri në tre vjet ose deri në skadimin e pasaportës, cilado qoftë e para.
Zyra e BE-së sqaroi se brenda kësaj periudhe, udhëtarët me një autorizim të vlefshëm udhëtimi ETIAS do të mund të hyjnë në territorin e 30 vendeve evropiane sa herë të duan për një qëndrim afatshkurtër brenda kufijve prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore, pa pasur nevojë të riaplikojnë.
Megjithatë, autorizimi i udhëtimit ETIAS nuk garanton hyrjen. Në mbërritje, një roje kufitare do të kërkojë të shohë pasaportën dhe dokumentet e tjera, si dhe do të verifikojë që udhëtarët plotësojnë kushtet e hyrjes./ (25 shtator)
EU4Municipalities panele diellore për shkollat
Energjia nga panelet diellore tashmë po aplikohet edhe në tarracat e shkollave. Shkolla e mesme e agrobiznesit “Charles Telford Erickson” në Golem u pajis me sistem panelesh diellore në tarracën e saj, falë programit të Delegacionit të Bashkimit Evropian EU4Municipalities.
Energjia e prodhuar do të mbulojë një përqindje të mirë të nevojave të shkollës.
Në kuadër të këtij programi do të realizohen 5 aktivitete për rritjen e kapaciteteve rreth përdorimit të energjive të rinovueshme për bashkinë Kavajë, ku një prej tyre është edhe instalimi i një sistemi panelesh diellore në shkollën e agrobiznesit “Charles Telford Erickson” me kapacitet total prej 26 kwp.
Në Tiranë ka nisur programi “Sunny School” për instalimin e impianteve fotovoltaike që rrisin pavarësinë energjetike të shkollave./ (25 shtator)
IPARD II, grante për prodhimin e energjisë së rinovueshme në bujqësi
Mbështetja për energjinë e rinovueshmë në bujqësi adreson financim për të gjitha bizneset agropërpunuse, përfshi ata që kanë dhoma frigoriferike, linja përpunimi apo sisteme të ujitjes.
Aktualisht, programi IPARD ka masë të veçantë për financimin e ndërtimit të paneleve diellore, që u mundëson bizneseve bujqësore dhe agroturistike prodhimin e energjisë në fermë apo stabiliment, duke u ulur kostot për përdorimin e energjinë elektrike.
“Tona-Alb” në Korçë është një sipërmarrje shqiptare e cila mbulon rreth 50% të nevojave të saj për energji nga panelet diellore të blera me fondet e BE-së.
Mbështetja e BE-së po ndihmon në zhvillimin e bizneseve lokale në mbarë vendin në një mënyrë të gjelbër dhe të qëndrueshme./ (25 shtator)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.