Zbatimi i suksesshëm i reformës në drejtësi dhe funksionimi i duhur i sektorit të drejtësisë përmes bashkëpunimit dhe monitorimit të zgjeruar ndërinstitucional mbetet prioritet i BE-së në Shqipëri.
Përfaqësues të lartë të delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri morën pjesë në prezantimin e draftstrategjisë së re të Drejtësisë 2024-2030, të përgatitur nga Ministria shqiptare e Drejtësisë, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e tjera të drejtësisë.
Strategjia synon të përputhet me prioritetet e integrimit të vendit në BE dhe ofron një vizion se ku dëshiron të jetë drejtësia shqiptare në shtatë vitet e ardhshme duke trajtuar çështje të rëndësishme si efikasiteti, cilësia, qasja në drejtësi dhe transparenca.
Sipas ministrit shqiptar të Drejtësisë, Ulsi Manja strategjia adreson gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të monitorimit, si dhe të gjitha rekomandimet në kuadër të procesit të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Zbatimi i Strategjisë do të kërkojë bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë ndërmjet institucioneve të ndryshme të përfshira, në respekt të plotë të pavarësisë së gjyqësorit. Ky është gjithashtu një parim i vlefshëm për zbatimin e reformës në drejtësi në përgjithësi, i cili lehtëson koordinimin dhe bashkëpunimin efektiv”, tha Andre Rizzo, Shef i Sektorit Politik, Delegacioni i BE-së në Shqipëri. (18 tetor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.