Ceremoni zyrtare për pritjen e presidentit Duda

Me ftesë të presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj mbërriti sot për një vizitë zyrtare dyditore presidenti i Republikës së Polonisë, Andrzej Duda.

Në këtë vizitë, e parë zyrtare pas 20 vitesh e një presidenti polak, Duda shoqërohej edhe nga Zonja e Parë, Agata Kornhauser-Duda.

Pas ceremonive të mirëseardhjes, të dy presidentët zhvilluan një takim të veçantë dhe më pas kryesuan delegacionet e të dy vendeve në një takim të zgjeruar.

Presidenti i Polonisë, u prit në takim edhe nga kryeparlamentarja, Lindita Nikolla, e cila e falënderoi për mbështetjen e fuqishme për anëtarësimin e  Shqipërisë në NATO dhe integrimit në BE.

Presidenti Duda vlerësoi për përparimin e jashtëzakonshëm e të gjithanshëm të Shqipërisë dhe Tiranës gjatë viteve të fundit, i cili është i dukshëm, si edhe shprehu vlerësimin për kontributin e Shqipërisë në mbështetje të luftës së Ukrainës dhe përpjekjet për mbrojtjen e paqes dhe sigurisë.

Presidentët Begaj dhe Duda morën pjesë dhe iu drejtuan me mesazhe forumit të përbashkët ekonomik Shqipëri-Poloni.

Presidenti Dudaj shoqërohet në këtë vizitë nga një përfaqësi sipërmarrësish polakë, të organizuar nga Agjencia Polake e Investimeve dhe Tregtisë (PAIH). 

Shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, në vitin 2022, u rritën me 60%, por  potenciali është për shumë më tepër.

Në vlerë shkëmbimet tregtare në 2022 llogariten 200 milionë euro./ (11 maj)

Rama pret presidentin Duda

Edhe kryeministri Edi Rama priti sot në një takim presidentin e Polonisë, Andrzej Duda.

“Kënaqësi takimi me presidentin polak Andrzej Duda”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale./ (11 maj)

Polonia të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në NATO

Presidenti Bajram Begaj deklaroi në konferencën e përbashkët për mediet me homologun e tij polak, se në fokus të bashkëbisedimit ishin kryesisht çështjet e bashkëpunimit dy e shumëpalësh, të integrimit evropian të Shqipërisë si dhe te kërcënimet e sfidat e reja si rezultat i agresionit ushtarak rus në Ukrainë. 

Ai nënvizoi faktin se pavarësisht marrëdhënieve diplomatike të lidhura rreth nëntë dekada më parë, marrëdhëniet midis dy popujve datojnë të paktën që në Mesjetë, ku në qendër të këtyre lidhjeve ka qenë heroi kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. 

Në dritën e zhvillimeve të reja gjeopolitike, Begaj tha se vlerësuam nevojën e një bashkëpunimi edhe më të ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. 

Ata vlerësuan bashkëpunimin shumë të mirë në fushën e arsimit dhe të shkencës ndërsa ranë dakord për të nxitur më shumë shkëmbimet midis universiteteve të të dy vendeve. 

Begaj theksoi se “i kërkova mikut tim Duda ndikimin e tij për një rivlerësim nga autoritetet polake të situatës së përgjithshme gjeopolitike në Evropë dhe në rajonin e  Ballkanit Perëndimor, me synim lidhjen sa më shpejt të jetë e mundur të marrëdhënieve diplomatike me Kosovën”.

Gjithashtu, Begaj i kërkoi homologut të tij mbështetjen e Polonisë për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në NATO, ku Samiti i ardhshëm i Vilniusit në korrik të këtij viti, është një rast i mirë për të mbështetur aspiratat e Kosovës./ (11 maj) 

Shqipëria bashkëpunim me vendet anëtare të Tre Deteve

Presidenti i Republikës së Polonisë, Andrzej Duda shprehu sot besimin që së shpejti Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin Begaj, kreu i shtetit polak tha se “Shqipëria, e cila është avangardë për sa i përket përmbushjes së kritereve për t’u bërë anëtare në BE”.

Ai shtoi se, jo vetëm jemi përkrahës të dyerve të hapura në BE, por gjithashtu dhe ne e kemi kaluar këtë dhe i kuptojmë shumë mirë sakrificat e Shqipërisë për të realizuar të gjitha reformat që kërkohen nga BE.

Presidenti nënvizoi se Shqipëria e meriton të jetë pjesë e BE-së sa më parë pasi kjo është në interesin e BE-së.

Duda vlerësoi se Shqipëria po zhvillohet në mënyrë dinamike, sidomos nga ana ekonomike dhe infrastrukturore.

Ai u ndal edhe tek agresioni rus ndaj Ukrainës, ku tha se mbështet Shqipërinë dhe politikën e qartë kundër këtij agresioni.

Duda theksoi se, ka ftuar Shqipërinë të bashkëpunojë me vendet anëtare të Tre Deteve për infrastrukturën. “Duke shkuar në drejtim të BE, Shqipëria të bashkëpunojë në drejtim të infrastrukturës me vendet e Evropës Qendrore dhe ato të BE-së, në mënyrë që në momentin e anëtarësimit të ketë një infrastrukturë të zhvilluar”, tha ai.

Duda vuri në dukej se, turizmi është një tjetër fushë bashkëpunimi, ndërsa vlerësoi se gjithnjë e më shumë polakë po vizitojnë Shqipërinë.

Ndër të tjera, presidenti polak tha se Polonia është një nga ato vende që kurrë nuk ka ngritur pikëpyetje në lidhje me pavarësinë e Kosovës, ndërsa theksoi mbështetjen për liberalizimin e vizave në BE për Kosovën.

“E kemi njohur pavarësinë e Kosovës që nga fillimi. Kemi edhe përfaqësi konsullore. Kemi mbështetur Kosovën për aplikimin e liberalizimit të vizave. Sigurova presidentin se përbën një objekt për të cilën autoritetet polake mendojnë vazhdimisht dhe do ta bëjnë në të ardhmen”, deklaroi Duda./ (11 maj)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.