Ashtu si edhe në vendet e Bashkimit Evropian, ”Garancia për Rininë Shqiptare” do t’i ndihmojë të rinjtë të ndjekin aspiratat e tyre profesionale dhe të përmbushin pritshmëritë e tyre.
Delegacioni i Bashkimit Evropian u bë pjesë e programit të nisur nga Vlora, 130 kilometra në jugperëndim të Tiranës, ku do të investojë dy milionë euro për të rritur punësimin e të rinjve në Shqipëri.
Ky fond është vetëm për fazën pilot.
Të gjithë të rinjtë shqiptarë nën moshën 30 vjeç duhet të kenë mundësi punësimi, arsimimi dhe praktike, megjithatë, 25% e tyre në Shqipëri nuk janë aktualisht në sistemin arsimor, në sistemin e punësimit apo praktikës.
BE së bashku me qeverinë shqiptare, bashkitë e Tiranës, Shkodrës dhe Vlorës dhe partnerët zbatues UNDP dhe UNICEF shpresojnë që përmes këtij programi të nxisin të rinjtë shqiptarë që të shohin të ardhmen e tyre në Shqipëri.
“Zhvillimi i kapitalit njerëzor është një nga shtyllat e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian dhe Axhendës së Reformës së Shqipërisë. Programi EU4Youth ofron mundësi të reja për punësim, arsim dhe praktikë të të rinjve. Ai u mundëson të rinjve të kontribuojnë në modernizimin dhe përparimin e vendit të tyre. Ne vlerësojmë kontributin e tyre në nxitjen e rritjes ekonomike të Shqipërisë dhe konvergjencës socio-ekonomike me BE-në. Ne qëndrojmë në krah të të rinjve shqiptarë”, u shpreh me këtë rast ambasadori i BE-së Silvio Gonzato./ (22 prill)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.