Në Tiranë, rikthehet për një edicion të dytë Festivali i Letërsisë Evropiane (FELT) për të kremtuar kulturën evropiane në Shqipëri.
FELT 2025 sjell 12 autorë, të cilët përfaqësojnë 13 shtete anëtare të BE-së dhe do të zhvillohet më 2-6 dhjetor 2025.
I organizuar nga Bashkimi Evropian në Shqipëri, në partneritet me Institutin Italian të Kulturës dhe në bashkëpunim me ambasadat e shteteve anëtare të BE-së, ai mbledh së bashku shkrimtarë të njohur nga Irlanda, Austria, Gjermania, Sllovenia, Spanja, Holanda, Kroacia, Republika Çeke, Bullgaria, Greqia, Franca, Italia dhe Polonia, të cilët do të lidhen me lexuesit shqiptarë dhe do të vizitojnë shkolla të mesme dhe universitete.
Me qëllim nxjerrjen në pah të diversitetit të zërave evropianë, promovimin e letërsisë bashkëkohore dhe angazhimin e publikut shqiptar me autorë dhe krijues nga e gjithë Evropa, festivali ofron një platformë për dialog, mirëkuptim dhe rrëfim historish përmes formateve dinamike.
Në ceremoninë e çeljes së festivalit në një mbrëmje frymëzuese në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor u shënua fillimi i pesë ditëve të letërsisë evropiane, bisedave, punëtorive dhe aktiviteteve shkollore në të gjithë qytetin.
“Festivali i Letërsisë Evropiane në Tiranë ka të bëjë me krijimin e hapësirave, harqeve dhe urave që i bashkojnë njerëzit përmes historive. Në partneritet me ambasadat e shteteve anëtare të BE-së dhe Institutin Italian të Kulturës, po paraqesim një duzinë shkrimtarësh bashkëkohorë evropianë – disa prej të cilëve janë përkthyer edhe në shqip. Ne duam që ky festival të jetë një mundësi për biseda, eksplorim dhe lidhje, ku autorët, përkthyesit e tyre dhe lexuesit të takohen për të eksploruar botën e sotme dhe sfidat e saj përmes fuqisë së letërsisë”, tha ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato.
“Instituti Italian i Kulturës është i kënaqur që bashkëpunon përsëri në një nismë që sjell në Tiranë zërat e shkrimtarëve evropianë që mishërojnë vlerat më të mira si diversiteti kulturor, shumëgjuhësia, pasuria krijuese e kulturës evropiane dhe i ndan ato me publikun shqiptar”, tha drejtori i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera.
Në aktivitetin hapës morën pjesë shkrimtarja Maja Haderlap, e cila foli për gjuhën, identitetin dhe kujtesën, së bashku me përkthyesen e saj në shqip Blerta Lazebeu. I moderuar nga Ana Kove, diskutimi theksoi se si letërsia dhe përkthimi mbartin histori personale dhe historinë e përbashkët të Evropës nëpër kultura.
FELT do të zhvillohet në disa vendndodhje, që nga Shtëpia e Evropës deri te Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit dhe Ansambli Popullor në Tiranë, Vila 31 x Art Explora, Biblioteka Kombëtare “Sotir Kolea”, Qendra e Kulturës “Tulla”, Biblioteka “Babel” dhe Teatri Kombëtar i Kukullave, duke krijuar hapësira diskutimesh dhe bisedash, si dhe duke lehtësuar qasjen e autorëve të rinj në audienca të ndryshme ndërgjeneracionale dhe specifike.
Festivali ofron mundësi për të eksploruar ide, zhanre, histori dhe koncepte, duke shërbyer si një forum për dialog kuptimplotë, si dhe duke i ftuar pjesëmarrësit të njihen me traditat e pasura letrare dhe të fitojnë njohuri më të thella mbi shoqëritë bashkëkohore.
Ndërsa letërsia ushqen arkitekturën e mendimit, duke zhvilluar imagjinatën tonë dhe duke ndërtuar ndërgjegjen, shkrimtarët evropianë që i bashkohen FELT-it përmes veprave të tyre letrare dhe dialogëve, eksplorojnë një gamë të larmishme temash.
Ndër to janë shkrimi dhe përkatësia shumëgjuhëshe, shkrimi në një gjuhë minoritare, identiteti, migrimi në letërsinë bashkëkohore dhe kujtesa kulturore evropiane, problemet me shëndetin mendor, roli i familjes në jetën dhe karrierën e shkrimtarëve, sfidat me të cilat përballen shkrimtarët e rinj, sfidat shoqërore si inteligjenca artificiale, lufta dhe konflikti, letërsia në tranzicion, temat e zhvendosjes, rritja dhe qëndrueshmëria.
Sesionet e leximit nga veprat e Maja Haderlap-it, Begoña Oro-s, Michał Rusinek-ut, Barbara Stock-ut (Libri i Vinsentit), Přemysl Vinš-it mbi veprën e Karel Čapek-ut, Djamel Ëhite – Fighting Ëords, Milena Selimit, Ena Katarina Haler-it, Christos Kythreotis-it, Nadia Terranova-s, Dario Voltolini-it dhe Philippe Collin-it zbulojnë peizazhet letrare shumëngjyrëshe të autorëve evropianë.
Programi përfshin angazhime ditore në shkolla dhe biseda mbrëmësore të hapura për publikun, si dhe shfaqje artistike bashkëkohore, takime pune mbi shkrimin krijues dhe bashkëpunime eksperimentale që kombinojnë fjalën e folur dhe muzikën mbi temën e kujtesës letrare.
Festivali pasqyron diversitetin gjuhësor, kulturor dhe tematik të letërsisë evropiane. FELT i fton pjesëmarrësit të eksplorojnë ndikimin transformues të leximit dhe rrëfimit të historive në formësimin e një Evrope më të ndërlidhur dhe më empatike. (3 dhjetor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.
