Rritja ekonomike 4,8 %
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj zhvilloi më 2 maj një konferencë për shtyp mbi ecurinë e treguesve kryesorë të ekonomisë për tremujorin e parë të vitit 2023.
Në fjalën e saj, Ibrahimaj risolli në vëmendje faktin se rritja ekonomike për vitin 2022 rezultoi në nivelin 4,8 %, ndjeshëm më e lartë se sa parashikimet, ndërsa niveli i inflacionit ishte 6,7 %, ndjeshëm më i ulët se sa në vendet e tjera të rajonit apo i mesatares së vendeve të BE-së.
Sa i përket ecurisë ekonomike për tremujorin e parë të vitit 2023, ministrja tha se ajo vijon të mbetet pozitive, duke iu referuar dhe shifrave kryesore, si niveli i mbledhjes së të ardhurave, treguesit e borxhit, treguesit e punësimit, aktiviteti ekonomik i bizneseve, financimit të konsumit apo tregtisë së jashtme.
Në tremujorin e parë të vitit 2023 të ardhurat totale janë rritur me 16,2 miliardë lekë ose 11,7 %, një realizim i të ardhurave prej 3,67 miliardë lekësh më shumë se sa planifikimet.
Ministrja theksoi se shifra 11,7 % e rritjes së të ardhurave në krahasim me vitin e kaluar është ndjeshëm më e lartë se sa shifra mesatare e inflacionit prej 6,5 % për tremujorin e parë 2023.
“Të ardhurat dhe rritja e tyre kanë vijuar të ndikohen nga rritja e çmimeve, por në pjesën më të madhe është aktiviteti ekonomik që ka ndikuar rritjen e të ardhurave. Të ardhurat janë rritur me 16,7 % për tatimin mbi vlerën e shtuar, shifër që ne e analizojmë kryesisht për të kuptuar dhe analizuar ecurinë e tremujorit të parë të ekonomisë, pasi është një shifër që lidhet qoftë me aktivitetin ekonomik, qoftë me konsumin. 16,7 % është ndjeshëm më e lartë se shifra prej 6,5 % e inflacionit në tremujorin e parë 2023”, tha Ibrahimaj.
Borxhi publik në tremujorin e parë të vitit 2023 rezulton të jetë në nivelin 63,27 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 64,58 % që ishte në fund të vitit 2022.
Vendet e punës për T1 2023 janë në nivelin 709.203 të punësuar dhe sipas sektorëve paraqitet një ecuri e mirë e punësimit në ato sektorë që kanë ndikuar më shumë në rritjen ekonomike, si në sektorin e ndërtimit, transporteve apo tregtisë./ (2 maj)
Mbi 126 000 biznese aktive në fund të marsit
Aktiviteti i biznesit ka ardhur në përmirësim edhe përgjatë tremujorit të parë të këtij viti.
Numri i bizneseve të regjistruara aktive në fund të muajit mars është 126 299 biznese, një shifër kjo me 4 506 biznese më shumë se sa marsi i vitit 2022.
“Në mars të vitit 2023 ne kemi 126 299 biznese, një shifër kjo me 4 506 biznese më e lartë se sa marsi i vitit 2022 dhe ndërkohë janë 905 biznese më shumë se fund vitit 2022. Pra, aktiviteti dhe numri i bizneseve ka vijuar të rritet”, deklaroi ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.
Edhe kontributet e sigurimeve shoqërore shënuan rritje me 14,8 %, në fund të muajit mars.
Sipas ministres Ibrahimaj, edhe qarkullimi i bizneseve në total për ekonominë është rritur me rreth 5 %, ndërsa shpërndarë sipas sektorëve, qarkullimi i sektorit të ndërtimit është rritur me 11,35 %, sektori i prodhimit me 5 %, sektori i shërbimeve me 13,69 % dhe sektori i tregtisë me 1,4 %.
Sa i përket ecurisë së tregtisë së jashtme, ministrja nënvizoi faktin se për herë të parë pas një periudhe të gjatë importet janë rritur më shumë në vëllim se sa në vlerë, çka do të thotë se çmimet e importeve kanë filluar të ngadalësohen dhe kjo është shenjë e mirë për pritshmëritë e normave të inflacionit në pjesën e mbetur të vitit.
Kompanitë mund të aplikojnë përmes portalit qeveritar, e-Albania për të përfituar subvencionimin për koston shtesë të kontributeve shoqërore për aplikimin e pagës minimale prej 40 000 lekësh.
Ibrahimaj tha se përfituese janë kompanitë në industrinë përpunuese, ato në sektorin e peshkimit dhe pyjeve./ (3 maj)
Të ardhurat nga taksa mbi prodhuesit e energjisë
Të ardhurat në buxhet nga taksa e jashtëzakonshme për kompanitë e prodhimit të energjisë llogariten 4,1 miliardë lekë.
Qeveria shqiptare vendosi në fund të vitit të shkuar një taksë të jashtëzakonshme për prodhuesit e energjisë elektrike.
Me të ardhurat e mbledhura nga kjo taksë krijohet një fond i veçantë dhe do të përdoret për paketa sociale për qytetarët dhe bizneset për të përballuar krizën energjetike.
Kësti i parë i taksës së jashtëzakonshme mbi prodhuesit e energjisë u mblodh në fillim të muajit prill.
Dhe po këtë muaj qeveria ndau edhe bonusin prej 5 000 lekësh për pensionistët./ (4 maj)Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.