Rekord i ri eksportesh gjatë pesë muajve të parë të vitit
Eksportet bujqësore, që përfshijnë blegtorinë, peshkimin, bujqësinë dhe agroindustrinë, u rritën 15,3% për 5-mujorin e parë të këtij viti duke arritur në vlerën 23,5 miliardë lekë, nga 20 miliardë lekë një vit më parë.
Bazuar në shifrat e publikuara nga INSTAT, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ka deklaruar se pavarësisht sfidave dhe vështirësive të ndikuara nga presionet në tregjet ndërkombëtare si dhe një kurs këmbimi i pafavorshëm, gjate muajit maj, eksportet bujqësore u rritën me 26% në sasi dhe 24% në vlerë krahasuar me majin 2022.
Ministrja ka nënvizuar se deficiti tregtar për kategorinë e produkteve bujqësore është ulur 13%, ndikuar nga forcimi i pozitave të eksporteve bujqësore.
Importet janë ulur 5,3% në sasi dhe 3% në vlerë për 5-mujorin.
“Dalja në treg e prodhimit vendas, pavarësisht zhvlerësimit të euros, po i mban eksportet e produkteve bujqësore shqiptare në nivelet më të larta”, tha Krifca.
“Gjatë 15 muajve të fundit ne kemi prezantuar ekselencën e produkteve bujqësore shqiptare në Evropë, Azi, vendet arabe e tjerë duke krijuar mundësi për lidhjen e kontratave midis prodhuesve tanë dhe tregtuesve të këtyre vendeve”, theksoi ajo./ (1 korrik)
Nis eksporti i shalqirit
Eksporti i shalqirit nga Shqipëria ka shënuar rritje pozitive vitet e fundit, teksa fermerët e zonës Lushnjë-Fier, 100 kilometra në jugperëndim të Tiranës, nisën edhe këtë vit më herët nga sezoni eksportet e para të këtij produkti drejt tregjeve të Bashkimit Evropian.
Vetëm gjatë javës 20-26 qershor janë eksportuar mesatarisht 65 tonë shalqi çdo ditë drejt Gjermanisë, Republikës Çeke dhe Austrisë.
Një pjesë e prodhimit të bostanorëve eksportohet në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare, duke kontribuar në rritjen e ekonomisë vendase.
Prodhimi i shalqirit në Shqipëri ka një rritje në tre vitet e fundit, që sipas referimeve të INSTAT, në vitin 2022 ka arritur një prodhim prej 280 994 tonë, nga 240 mijë tonë që ishte një vit më parë.
Shqipëria tashmë ka fituar epërsi eksporti të qëndrueshëm edhe në tregjet e BE-së, teksa eksporton shalqinj kryesisht në vendet fqinje në rajonin e Ballkanit, përfshirë Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë, vende që janë gjeografikisht afër dhe kanë kërkesa për fruta të freskëta, veçanërisht gjatë stinës së verës./ (3 korrik)
Eksportet drejt Kosovës rritje të lehtë
Eksportet drejt Kosovës shënuan një rritje të lehtë gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, ndërsa importet ranë me rreth 1,4 miliardë lekë.
Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) mbi tregtinë e jashtme, eksportet drejt Kosovës gjatë periudhës janar-maj ishin gati 17 miliardë lekë, nga 15,8 miliardë lekë që ishin në 5-mujorin e parë të 2022-shit.
Ndërkohë, importet për 5-mujorin llogaritën 4,5 miliardë lekë nga 5,9 miliardë lekë që ishin në 5-mujorin e 2022-shit.
Eksportet kryesore të Shqipërisë drejt Kosovës përfaqësohen nga eksporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, mineraleve dhe lëndëve djegëse, ushqimeve si dhe produkteve kimike dhe plastike.
Të rëndësishme në strukturën e eksporteve shfaqen prodhimet vendase të drurit.
Gjithashtu, edhe prodhimet bujqësore kanë peshë, ndër të cilat eksportin kryesor e zënë domatet, agrumet, pjepri dhe kastravecat.
Gjatë kësaj periudhe, referuar të dhënave, Shqipëria ka eksportuar drejt Kosovës rreth 7,0 miliardë lekë materiale ndërtimi dhe metale dhe rreth 3,4 miliardë lekë minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike.
Tashmë prej datës 1 tetor të vitit 2022 në doganën e Durrësit po kryhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën.
Janë 1 040 biznese nga Kosova që përfitojnë aktualisht nga hapja e kësaj dege./ (3 korrik)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.