Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në Shqipëri çeli fazën e tretë dhe të fundit të programit të granteve EU4Culture “Rikrijo të shkuarën, ndërto të ardhmen”.
Tetë grante, me një shumë totale prej 356 541 dollarësh do të mbështesin iniciativat e OJQ-ve për zhvillimin e artizanatit, turizmit inovativ, platformave digjitale dhe ngjarjeve kulturore në bashkitë e Tiranës, Mirditës, Durrësit, Kavajës, Rrogozhinës, Kurbinit dhe Krujës, ku ndodhen site të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, të prekura nga tërmeti i vitit 2019.
Projektet që do të financohen nga ky program trajtojnë një gamë të gjerë temash të cilat do të sjellin trashëgiminë kulturore më afër komunitetit lokal, duke forcuar identitetin e tyre kulturor dhe duke ofruar mundësi për rritje ekonomike.
Sipas delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ruajtja e trashëgimisë kulturore, fuqizimi i të rinjve dhe krijimi i lidhjeve mes zakoneve tradicionale dhe turizmit janë vetëm disa nga aspektet që këto projekte do të mbështesin.
Eu4 Culture në Shqipëri ishte vendimtar në rehabilitimin dhe kthimin tek publiku të disa monumenteve të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore si Hamami Mesjetar i Durrësit, Kisha e Rubikut, Muzeu Etnografik i Kavajës, kalaja e Ishmit dhe shumë të tjera./ (6 janar)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.