I pranishëm në inaugurimin e Teatrit të Kukullave, ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato tha se projekti i Bashkimit Evropian për Kulturën (EU4Culture) është nga më të rëndësishmit për BE, pasi jo vetëm restauron godina, por këto restaurime sjellin të mira për qytetarët në mënyrë të drejtpërdrejtë.
“Këtu bëhet fjalë për më shumë se sa vetëm për Teatrin e Kukullave. Bëhet fjalë për një ndërtesë me histori dhe ne restaurojmë monumente”, tha Gonzato.
Për ambasadorin e BE, procesi i integrimit nuk ka të bëjë vetëm me rregullore dhe me ekonominë, por me shndërrimin e gjithë shoqërisë, me të drejtat e barabarta të cilat duhet t’i gëzojnë të gjithë.
Gonzato ftoi shqiptarët të mos humbasin identitetin.
“Forca e BE qëndron te larmia’’, theksoi ai.
“Ne sjellim talente, kultura e histori të ndryshme. Jemi jo vetëm të bashkuar, por edhe të larmishëm. Të gjitha këto ndryshime që kemi vijnë nën një emërues të përbashkët dhe ato janë vlerat e Bashkimit Evropian”, tha ambasadori Gonzato.
Ndërtesa e Teatrit Kombëtar të Kukullave u ndërtua në 1924.
Fillimisht ajo shërbeu fillimisht si selia e Parlamentit të Shqipërisë.
Godina historike e Teatrit të Kukullave tashmë është me strukturë të konsoliduar, sipas standardeve të institucioneve të tilla në botë. Skena është e lëvizshme dhe me sistem ndriçimi që ndjek dinamikat e skenës./ /26 dhjetor/
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.