Shtëpia e fëmijërisë e aktorit shqiptar Aleksandër Moisi në Durrës është rikontruktuar plotësisht falë programit të financuar nga Bashkimi Evropian, EU4Culture dhe pritet të hapë dyert për publikun.

Kjo shtëpi është monument i kategorisë së parë në qytetin e Durrësit. Ky monument unik i shekullit XIX, i dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019, është ruajtur me shumë kujdes duke respektuar materialet dhe strukturën origjinale, përfshirë restaurimin e muraturës tradicionale, elementëve prej druri dhe detajeve autentike arkitekturore.

Siti u rikthye në jetë falë programit EU4Culture, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë.

Autoritetet e bashkisë së Durrësit u shprehën se pas përfundimit të rikonstruksionit të shtëpisë do të vijojë puna për procesin e muzealizimit në mënyrë që ky muze të jetë sa më shpejt gati për të hapur dyert për vizitorët vendas e të huaj.

Shtëpia-muze e Aleksandër Moisiut është nga të paktat shtëpi karakteristike qytetare durrsake të shekullit të XIX, pak metra larg Amfiteatrit Antik, në rrugicën në krah të mureve bizantine dhe xhamisë “Fatih”.  Në të ndodhet Muzeu Etnografik i Durrësit. E shpallur monument kulture, kjo shtëpi e vendosur në zemër të qytetit të vjetër, ka ç’të tregojë për turistët e shumtë të huaj e vendas.

Aleksandër Moisiu u angazhua në teatrot e Evropës ku u shqua për zotësi aktoriale, veçanërisht në interpretimin e rolit të Edipit mbret dhe të Hamletit. Kjo mbarëvajtje e bujshme do ta shpinte për të shpalosur talentin e tij drejt skenave të tjera edhe të Amerikës Veriore.

Moisiu nderohet si në Shqipëri ashtu edhe në Austri ku zhvilloi karrierën artistike. Emrin e tij e mbajnë disa rrugë në Berlin, Salzburg dhe Vjenë ku po ashtu ka edhe një monument të tij.

Në Shqipëri, Moisiu vlerësohet si aktori më i rëndësishëm me karrierë ndërkombëtare. Emrin e tij e mbajnë disa institucione të rëndësishëm teatrore në vend. (23 korrik)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.