EU4GreenGen u shpall në Shtëpinë e Evropës në Tiranë si një projekti më i ri në fushën e mjedisit në Tiranë e që synon të rrisë ndërgjegjësimin për çështje të rëndësishme si ekonomia qarkulluese, biodiversiteti dhe menaxhimi i mbetjeve. Në të njëjtën kohë, projekti nxit dhe mbështet linjëzimin e Shqipërisë me standardet mjedisore të Bashkimit Evropian.
Me afro 1.5 milionë euro financim gjatë 3 viteve të ardhshme, përmes projektit EU4GreenGen, BE do të zhvillojë 6 fushata komunikimi për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet e gjelbra, për të frymëzuar veprimin dhe për të krijuar një gjeneratë të gjelbër në Shqipëri.
Fushatat do të nxisin edukimin mjedisor, do të promovojnë praktika të qëndrueshme dhe do të mbështesin përafrimin e Shqipërisë me standardet mjedisore të BE-së.
“Anëtarësimi në BE nuk ka të bëjë vetëm me miratimin e ligjeve, ky proces mundëson transformim të vërtetë shoqëror. Me EU4GreenGen, ne duam të frymëzojmë ndryshimin e sjelljes, të ndërtojmë njohuri dhe të nxisim aktivizmin qytetar, duke punuar me qeverinë, shoqërinë civile, median dhe biznesin për të mirën e qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri gjatë ceremonisë në Shtëpinë e Evropës.
Nga ana e tij, Sofian Jaupaj, zv.ministri shqiptar i Turizmit dhe Mjedisit theksoi rëndësinë e kohës në të cilën nis ky projekt.
“Ky projekt vjen në një moment kyç në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Vendi ynë është i pasur në trashëgimi natyrore dhe biodiversitet. Tranzitimi drejt një ekonomie të gjelbër nuk është vetëm qëllim kombëtar por edhe një përgjegjësi e përbashkët”, u shpreh ai.
Një nga qëllimet kryesore të projektit është nxitja e kuptueshmërisë së publikut për mbështetjen e reformave mjedisore që Bashkimi Evropian jep për Shqipërinë dhe përfitimet me linjëzimin e politikave kombëare me legjislacionin e BE-së. (25 prill)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.
