Pas rindërtimit të 63 shkolla nëpërmjet EU4Schools, një tjetër projekt i mbështetur nga Bashkimi Evropian në Shqipëri EU4InclusiveTeaching po kujdeset që çdo fëmijë të ndihet i përfshirë dhe i motivuar brenda këtyre shkollave.
Mesazhi i kësaj mbështetjeje është se Bashkimi Evropian beson se krijimi i një hapësire të sigurt dhe miqësore në klasë është çelësi për të ndihmuar fëmijët të mësojnë si duhet.
Falë projektit, EU4InclusiveTeaching, 15,000 mësues në Shqipëri janë njohur me metoda të reja për të motivuar nxënësit, duke i ndihmuar ata të ndihen më të sigurt dhe komod në klasë.
Igla Osmanaga, një mësuese nga Shkodra në veri të Shqipërisë dëshmoi se këto teknika sigurojnë që çdo fëmijë – pavarësisht aftësive apo nevojave të veçanta – të mësojë në një mënyrë që e kupton.
Nga zhvillimi i ndjenjës së përkatësisë dhe pjesëmarrjes në klasë deri te një qasje që i ndihmon fëmijët të mësojnë konceptet përmes teknikave të ndryshme dhe të krijojnë lidhje më të thella me informacionin e ri, këto metoda kanë rezultuar të jenë të suksesshme mes brezave të rinj, përfshirë fëmijë me prejardhje të ndryshme sociale.
Duke ndryshuar perspektivën e mësimdhënies nga thjesht marrja e njohurive në mënyrë pasive, këto metoda të reja kërkojnë angazhim. Kjo do të thotë trajtim dhe kapërcim i gjithçkaje që i pengon fëmijët: hezitimi, frikësimi, turpi i të folurit në një grup, frika e të qenit gabim apo të gjykuar.
“BE për mësimdhënien gjithëpërfshirëse” është një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian që synon të përmirësojë rezultatet e të nxënit të nxënësve shqiptarë dhe të mbyllë hendekun mes nxënësve që u përkasin kategorive të ndryshme socio-ekonomike, çka është thelbësore si për kohezionin social ashtu edhe për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Zbatuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara Tampere (TAMK), ka përfunduar trajnimi i 64 drejtorëve dhe mësuesve të shkollave në Tiranë dhe projekti ka vazhduar me mësues nga rrethet e tjera. 320 mësues aktivë dhe të motivuar janë përzgjedhur për programin “Trajnimi i trajnerëve” (TT). Mësuesit e këtij programi mbarëkombëtar ua përcjellin njohuritë e tyre 15,000 mësuesve të tjerë sipas shtrirjes gjeografike dhe nevojës. Pajisja e mësuesve me kompetencat dhe aftësitë e nevojshme për të ndërtuar një mjedis mësimor motivues dhe gjithëpërfshirës konsiderohet si çelësi për çuarjen përpara të prioritetit të mësipërm. (21 mars)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.