Arsimi gjithëpërfshirës është mënyra që siguron që çdo fëmijë të ketë hapësirën dhe mbështetjen për të mësuar e për t’u rritur ashtu siç e meriton.

Ky parim ka qenë thelbi i projektit “EU4InclusiveTeaching” në Shqipëri, i financuar nga Bashkimi Evropian për forcimin e arsimit parauniversitar nisur në vitin 2022 me buxhet prej 2.3 milionë eurosh.

Rezultatet e deritanishme të projektit u diskutuan në aktivitetin “Stories of Inclusion”, ku po ashtu u zgjerua fokusi në lidhje me rrugëtimin dhe arritjet e “EU4InclusiveTeaching”.

Projekti me synim forcimin e arsimit në Shqipëri, duke investuar paralelisht te mësuesit, shërbimet mbështetëse dhe vetë sistemi vendos themele të qëndrueshme për përfshirje afatgjatë.

Gjatë këtij projekti janë trajnuar 15,000 mësues në mësimdhënie gjithëpërfshirëse; janë certifikuar 348 trajnerë për ta përhapur këtë qasje në nivel kombëtar; janë pajisur 550 kabinete psiko-sociale me infrastrukturë moderne; janë shndërruar dy shkolla speciale në Qendra Kombëtare Burimore.

Projekti ka mundësuar përfitime të drejtpërdrejta për mbi 135,000 fëmijë përmes praktikave më gjithëpërfshirëse të të nxënit.

Bashkimi Evropian së bashku me partnerët dhe institucionet shqiptare, vijon të mbështesë një arsim ku askush nuk mbetet pas, në përputhje me standardet evropiane dhe prioritetet e procesit të integrimit. (23 dhjetor)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.