Shqipëria lidere rajonale për ekosistemi e saj për startup-et

U prezantua të mërkurën në Tiranë çelja e fazës së dytë të projektit EU4Innovation e cila bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim si dhe Sida.

Aktiviteti mblodhi së bashku më shumë se 150 aktorë të ekosistemit të inovacionit, përfaqësues nga sektori publik dhe privat, akademia e komuniteti i donatorëve dhe përcolli frymën inkurajuese për përshpejtimin e transformimit të ekonomisë shqiptare, përmes inovacionit dhe aftësive.

Projekti zbatohet nga GIZ Shqipëri si organizatë kryesuese në zbatim dhe Sida, si përgjegjëse për Challenge Fund. Periudha e zbatimit është janar 2023 – qershor 2026, me një kontribut të BE-së deri në 10 milionë euro, të BMZ-së deri në 1,2 milionë euro dhe Sida deri në 550 000 euro.

Projekti mbështet qeverinë e Shqipërisë në arritjen e objektivave kryesorë në fushën e zhvillimit ekonomik, përmes përshpejtimit dhe transformimit në një ekonomi të nxitur nga inovacioni dhe të bazuar në njohuri, duke i dhënë hov kapitalit të saj njerëzor, potencialit sipërmarrës si dhe të kërkimit, dhe duke rritur kështu konkurrueshmërinë.

Objektivi specifik i projektit është rritja e pjekurisë dhe ekspozimit të ekosistemit shqiptar të start-up-it dhe novacionit dhe anëtarëve të tij.

Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Peter Zingraf foli rreth sukseseve të fazës së parë të projektit, që u zbatua nga 2018 – 2022. Ndër të tjera, ai iu referua rritjes së pozicionit të Shqipërisë në raportin Startup-Blink 2022 (një raport krahasues mbi statusin e ekosistemeve start-up), i cili e cilëson Shqipërinë si “një vend ideal për kompanitë e softëare dhe të dhënave, e-commerce & retail, si dhe start-up-et e transportit”.

“Shqipëria dhe ekosistemi i saj për startup-et është një lider rajonal për inovacionin dhe një vend ideal për tregtimet elektronike dhe startup-et që lidhen me transportin dhe idetë novatore”, tha ambasadori./ (24 maj)

Lehtësi fiskale për zhvillimin e infrastrukturës inovative

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e mirëpriti këtë nismë e cila është në përputhje me objektivat kryesore të Qeverisë së Shqipërisë në fushën e zhvillimit ekonomik. Ibrahimaj rikonfirmoi angazhimin e qeverisë për të rritur konkurrueshmërinë e Shqipërisë në rajon. Ajo theksoi rolin e rëndësishëm të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si partneri kryesor politik i projektit nga ana e Qeverisë shqiptare.

Ajo shprehu besimin se EU4Innovation mund të luajë një rol të fortë mbështetës për të arritur këtë qëllim duke mbështetur progresin e ekosistemit të start-up-eve dhe inovacionit.

Ministrja bëri të ditur se, qeveria shqiptare ka punuar intensivisht për hartimin e legjislacionit të duhur për të bërë të mundur krijimin dhe zhvillimin e ekosistemit.

“Ndryshimet në ligjin “Për startup-et inovative” i hapin rrugë atyre që përkufizohen si nomadët digjitalë, duke i’u dhënë mundësinë që nomadët të mos konsiderohen rezidentë tatimorë për një vit”, ka theksuar ministrja.

“Duke qenë se jemi në kuadër të Javës së Europës dhe viti 2023 është Viti Evropian i Aftësive, më lejoni të theksoj se Evropa është këtu për të nxitur zhvillimin e aftësive në Shqipëri”, tha Christiane Hohmann, Ambasadorja e BE-së në Shqipëri.

Ambasadorja e Mbretërisë së Suedisë, Elsa Håstad, foli për rëndësinë e mbështetjes së inovacioneve nga e gjithë Shqipëria. Håstad tregoi historinë e suksesit të kabinave lëvizëse shqiptare, “Funky Cabins”, 17 inovacionet e kryesuara nga gratë që falë mbështetjes së EU4Innovation konkurojnë në tregun global./ (24 maj)

Piramida qendra më e madhe digjitale në Ballkan

Piramida i është rikthyer Tiranës me një dimension të rilindur dhe një madhështi ndryshe nga më parë, si zemra e Shqipërisë së Re të Inovacionit dhe destinacioni më i madh i teknologjisë digjitale në rajon.

Projekti ambicioz për rijetësimin e ka transformuar si kurrë më parë këtë hapësirë, në një stoli për kryeqytetin me perspektivën e një prej pikave më të vizituara në të ardhmen për të gjithë turistët që vijnë në Shqipëri.

Transformimi i Piramidës në Tiranë vlerësohet si një nga 12 projektet më të mira arkitekturore në botë, ndërsa në vjeshtë do të presë të rinjtë për kurse në teknologji.

Institucioni arsimor TUMO Tirana do të drejtojë Piramidën pas rinovimit të saj. Ai do të ofrojë programe arsimore parashkollore për 12 – 18-vjeçarët, si robotika, animacioni, zhvillimi i lojërave, muzika dhe filmi./ (25 maj)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.