BE financon qendrën multifunksionale në Shkodër
Ekipi i projektit EU4Municipalities në një vizitë në bashkinë e Shkodrës, 90 kilometra në veriperëndim të Tiranës, njoftoi mbylljen me sukses të projektit “Nxitja e Përfshirjes Sociale dhe Zhvillimit të Komunitetit” dhe bashkëpunimin e frytshëm mes palëve.
Ky projekt ka mundësuar financimin e përfundimit të punimeve ndërtimore pranë godinës së ish-shkollës “Veterinare” me synim realizimin e projektit të Qendrës Multifunksionale “Xixëllonjat”, në të cilën do të ofrohen shërbime si çerdhe dhe kopësht, qendër e kujdesit shëndetësor parësor, qendra komunitare “Për Familjen” dhe shërbime të tjera administrative.
Qendra “Xixëllonjat” në lagjen Kiras do të jetë një realitet i ri që do t’i shërbejë të gjitha moshave, nga më të vegjlit tek të moshuarit duke krijuar lehtësi në marrjen e shërbimeve, por edhe si destinacion edukimi e argëtimi./ (2 nëntor)
Hapen aplikimet për çmimet Bauhaus 2024
Edhe në Shqipëri janë çelur aplikimet për Çmimet e reja Evropiane Bauhaus 2024 që përfshin aplikime nga Ballkani Perëndimor.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri njoftoi hapjen e aplikimeve për 20 projekte novatore do të shpërblehen për qëndrueshmëri, estetikë dhe gjithëpërfshirje.
Çmimet e vitit 2024 do t’i jepen 20 fituesve që do të marrin shpërblim për çmimin deri në 30 000 euro si dhe një paketë komunikimesh që do t’i ndihmojë ata të zhvillojnë dhe promovojnë më tej projektet dhe konceptet e tyre.
Ato do të shpallen gjatë Festivalit New European Bauhaus, që do të zhvillohet në Bruksel nga 17 deri më 21 prill, në një ceremoni të organizuar nga Komisioni Evropian./ (2 nëntor)
Historia e bankieres që ndërtoi serrë mjedrash me ndihmën e IPARD
Manjola Hafizi, banore e Prezës, 10 kilometra në perëndim të Tiranës, prej 7 vitesh kultivon në serra mjedrën dhe në sipërmarrjen e saj ka punësuar disa gra të zonës duke gjeneruar fitime jo vetëm për familjen, por edhe komunitetin rural ku jeton.
Manjola ka kryer studimet për Menaxhim-Biznes dhe ka nisur karrierën në sektorin bankar, por pasioni për bujqësinë e bëri t’i kthehet punës me tokën dhe sot është një sipërmarrëse e suksesshme në agrobiznes.
Për shkak të prodhimit të bollshëm, që shkon deri në 300 kilogramë në ditë, Manjola aplikoi në skemat e IPARD për makineri përpunimi të mjedrës për lëng dhe reçel ku u përzgjodh fituese./ (2 nëntor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.
