Menaxhimi me standarde i ujërave është një prej kushteve të Bashkimit Evropian vendosur ndaj Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.
Në Tiranë u mbajt Forumi i Menaxhimit të Integruar të Burimeve Ujore, ku u diskutua edhe mbështetja e Bashkimit Evropian përmes programit ”Eu4Rivers”.
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku u shpreh se ”maturia e kërkesave të vendit dhe maturia e stafeve që janë duke punuar me këto kërkesa kanë arritur në një nivel, që vlerësohet edhe nga Bashkimi Evropian”.
Balluku vuri në dukje se programi ”EU4Rivers” vjen në momentin e duhur.
Ajo siguroi se ky projekt do të ndiqet me rigorozitet nga Shqipëria dhe do ta përmbushë atë sipas standardeve të kërkuara.
Zëvendëskryeministrja u shpreh se Shqipëria sfidën e madhe nuk e ka të hartimi i ligjeve dhe projekteve, por te zbatimi i tyre në terren dhe për këtë arsye kërkoi asistencë nga vendet e Bashkimit Evropian.
Ndërkaq, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato i pranishëm në forum theksoi se ndotja e ujit nga kimikatet dhe mbetjet e hedhura në përrenj, lumenj, liqene apo dete është fatkeqësisht një kërcënim real për rezervat ujore të Shqipërisë.
“Për të ndihmuar vendin të mbrojë statusin dhe cilësinë e ujërave, ne nisëm sot projektin ‘EU4Rivers’. Ky projekt përfaqëson një mundësi të rëndësishme për Shqipërinë për të menaxhuar dhe rivendosur ujin e pastër dhe për të arritur përdorimin e tij të qëndrueshëm e afatgjatë”, u shpreh Gonzato.
Përveç kësaj, Gonzato tha se BE ndihmon Shqipërinë të përafrojë ligjet dhe politikat e saj me rregulloret e BE-së për ujërat, duke përshpejtuar procesin e anëtarësimit – një përfitim i dyfishtë për Shqipërinë./ (29 prill)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.