Programi “EU4Schools” financuar nga Bashkimi Evropian për të mbështetur përpjekjet në Shqipëri në riparimin e infrastrukturës arsimore pas dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit 2019, mundësoi së fundmi edhe riparimin dhe përforcimin e plotë të 5 objekteve arsimore në bashkinë e Kavajës, në Shqipërinë e Mesme.

Konkretisht, është bërë ndërhyrja tek shkolla 9-vjeçare “Mehmet Babamusta”; shkolla 9-vjeçare dhe kopshti “Fiqiri Kurti”; shkolla 9-vjeçare “3 Dëshmorët”; shkolla 9-vjeçare dhe kopshti Karpen, Golem dhe Shkolla e Mesme Profesionale “Charles Telford Erickson”, Golem.

Falë EU4Schools janë garantuar mjedise bashkëkohore sikurse në vendet e BE-së për afro 1,700 nxënës, fëmijë dhe mësues, pjesë të këtyre institucioneve ku përfitojnë gjithashtu 41,000 banorë të komuniteteve të prekura.

Bashkia Kavajë është një prej 11 bashkive më të prekura, ku “EU4Schools” ka ndërhyrë me rindërtimin dhe/ose riparimin e objekteve arsimore të dëmtuara nga tërmeti shkatërrimtar i 2019-tës.

Programi “EU4Schools” financohet nga Bashkimi Evropian me 75 milion euro dhe zbatohet nga UNDP në Shqipëri në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.

Deri tani në kontekstin e këtij projekti janë përfunduar 59 nga 63 objekte arsimore në 11 bashki të prekura nga tërmeti i 2019-tës, duke ndikuar në jetën e mbi 25,000 fëmijëve, nxënësve dhe mësuesve. (23 prill)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.