Ekspertët të pranishëm në kantierin e shkollës që po rindërtohet në Tiranë
Gjithëpërfshirja dhe angazhimi i përfituesve të programit “BE për shkollat” në kontekstin e parimit bazë “Rindërtojmë së bashku”, kanë krijuar tashmë një standard të mirëfilltë të transparencës dhe llogaridhënies në Shqipëri.
Ekspertë të linjës dhe institucioneve zhvilluan një vizitë monitoruese pranë kantierit të ndërtimit të shkollës 9-vjeçare “Emin Duraku” në Tiranë.
Nga kjo shkollë që po rindërtohet nga e para falë “EU4Schools”, përfitojnë 1 300 nxënës, 59 mësues dhe rreth 87 000 banorë të komunitetit.
Në bashkinë e Tiranës, nëpërmjet këtij programi po ndërtohen/riparohen 7 objekte arsimore.
“EU4Schools” financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNDP Albania./ (15 janar)
Thellohet bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian
Ambasadori I Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato diskutoi me ministrin e Financave të Shqipërisë gjatë një takimi mes tyre, ecurinë e procesit të negociatave Shqipëri-BE, Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, si edhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Mete vlerësoi mbështetjen që BE ka dhënë dhe vijon të japë për të çuar përpara reformat, edhe në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian. Sipas tij, Shqipëria pati një angazhim profesional dhe u vlerësua pozitivisht nga ekspertët e Komisionit Europian sa i takon procesit të shqyrtimit analitik të legjislacionit.
Ambasadori Gonzato vlerësoi bashkëpunimin dhe lidhjet e forta mes Shqipërisë dhe BE-së, duke nënvizuar gjithashtu rezistencën e shfaqur nga ekonomia shqiptare ndaj goditjeve të njëpasnjëshme./ (15 janar)
Qeveria shqiptare miraton programin e reformave ekonomike
Këshilli i Ministrave miratoi Programin e Reformave Ekonomike (ERP) 2024 – 2026, si një dokument të rëndësishëm në kuadër të procesit të reformave dhe integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Komisioni Evropian në Progresraportin e vitit 2023 vlerësoi ecurinë e vendit sa i përket përmbushjes së kritereve kryesore në procesin e negociatave të integrimit, si dhe progresin e bërë në disa prej kapitujve që u negociuan nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë./ (15 janar)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.