Personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në nevojë në bashkinë e Kamzës në Shqipëri do të kenë një shërbim të ri falë mbështetjes së Bashkimit Evropian.
Këta persona dhe familjet në nevojë në Kamzë kanë një mbështetje të re për të lëvizur në mënyrë më të lehtë dhe komode si pjesë e projektit Eu4SocialCare të financuar nga Bashkimi Evropian, projekt që shtrihet në 14 bashki shqiptare me një vlerë prej 3,1 milionë euro.
Projekti që synon të forcojë partneritetet dhe kapacitetet lokale për të planifikuar, zbatuar e zgjeruar shërbimet e kujdesit social ka nisur në vitin 2023 dhe përfundon në vitin 2026.
Bashkitë ku po zbatohet projekti janë Gjirokastër, Vorë, Cërrik, Librazhd, Kavajë, Kurbin, Kukës, Krujë, Pogradec, Korçë, Kamzë, Vlorë, Elbasan, Durrës.
Ndërkaq, si pjesë e projektit, një automjet i dedikuar dhe plotësisht i aksesueshëm është vendosur në shërbim të personave me aftësi të kufizuara në bashkinë e Kamzës që do t’i ndihmojë ata të shkojnë në vizita mjekësore, zyra publike apo shërbime të tjera të domosdoshme, duke adresuar një nga sfidat që hasin çdo ditë si mungesën e transportit të përshtatshëm si parakusht për ushtrimin e të drejtave themelore.
Kryetari i bashkisë Kamzë, Rakip Suli u shpreh ky shërbim i transportit social në bashkinë që ai drejton, është një tjetër hap i rëndësishëm për mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara.
Në Qendrën Multifunksionale të Kamzës, projekti ofron gjithashtu një gamë të gjerë shërbimesh që përfshijnë aktivitete edukative për fëmijët, këshillim dhe mbështetje për familjet, terapi për personat me aftësi të kufizuara, si edhe shërbime të specializuara si logopedia dhe terapia e të folurit.
Këto shërbime synojnë të krijojnë një hapësirë të sigurt dhe gjithëpërfshirëse, ku ata që kanë më shumë nevojë mund të gjejnë kujdesin dhe mbështetjen që meritojnë.
Investimi i financuar nga Bashkimi Evropian, zbatohet nga UNICEF dhe World Vision në bashkëpunim me Fondacionin “Së Bashku”, bashkinë Kamzë dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. (19 shtator)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.