Shqipëria ka shënuar rritjen më të lartë për netëqëndrimet në akomodimet turistike në vitin 2023.

Referuar statistikave nga Eurostat për netëqëndrimet në akomodimet turistike për të gjithë Evropën tregojnë se netët e kaluara në hotele dhe struktura të ngjashme në 2023 u rritën në Shqipëri me 56,8% në krahasim me vitin 2022, ndërsa ishin 84,7% më të larta se në vitin 2019, përpara se të fillonin kufizimet e pandemisë Covid-19.

Shqipëria vitin e kaluar përjetoi boom turistik, ndërsa shifrat e institucioneve vendase të turizmit flasin se Shqipërinë e vizituan vitin e kaluar 10,1 milionë turistë të huaj.

Përveç Tiranës, turistët e huaj preferojnë edhe qytetet historike në mbrojtje nga UNESCO si Berati dhe Gjirokastra, kalanë mesjetare të Krujës, por edhe zonën e Alpeve Shqiptare me peizazhe mbresëlënëse si dhe luginën e Vjosës, e shpallur së fundmi park i mbrojtur kombëtar.

”Tirana International Airport” (TIA) raportoi për 7,25 milionë pasagjerë për vitin 2023 duke shënuar shifrën më të lartë historike që ky aeroport ka pasur brenda një viti.

Sipas autoriteteve të aeroportit, ka pasur dyfishim të pasagjerëve në TIA, në krahasim me vitin 2019 dhe rritje prej 35% në krahasim me vitin 2022.

Qeveria e ka shpallur turizmin prioritet dhe ka krijuar lehtësi fiskale, sikundër edhe mbështetje për strukturat akomoduese në agroturizëm me synim rivitalizimin edhe të zonave rurale./ (18 mars)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.