Rikthimi pas tetë vitesh i Festivalit
Pas tetë vitesh është rikthyer në Gjirokastër, rreth 200 kilometra në jugperëndim të Tiranës, edicioni XI i Festivali Folklorik Kombëtar, me potpuri këngësh djepi, dasmash dhe vajtimesh, valle dhe rite, shtuar këtu edhe paradën e kostumeve popullore nga të gjitha trevat e Shqipërisë dhe diaspora.
Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës 2023, një ngjarja që mbledh ngjyrat e folklorit shqiptar u çel mbrëmjen e së shtunës dhe do të vijojë deri më 1 korrik, me pjesëmarrjen e artistëve dhe grupeve artistike nga 12 qarqet e vendit si dhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e tjerë.
Në skenën tradicionale të Kalasë do të ngjiten edhe grupe muzikore folklorike nga arbëreshët e Italisë, të shqiptarëve nga Greqia, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe SHBA. Të gjitha dëshmitë e tyre muzikore dhe koreografike janë të përfaqësuara në festival brenda grupeve të qarqeve përkatëse.
Festivali mbështetet nga buxheti i shtetit me një fond prej 135 milionë lekësh, përveç kontributit të çdo qarku.
Të ftuar gjatë netëve të këtij Festivali do të jenë grupe të mirënjohura apo Elif Sanchez nga Spanja, një nga këngëtarët më të njohur të Republikës së Maqedonisë së Veriut Vladko Stefanovski, “Les Swings Cabaret Musical” nga Franca, për të kulmuar me natën finale me pjesëmarrjen e “Orchestra Italiana” të Renzo Arbores.
Një sërë aktivitetesh të tjera do të zhvillohen në gjithë pikat kyçe të qytetit, përfshirë artizanat, kurse këndimi dhe kërcimi, ekspozita fotografike, projektime filmash e tjerë.
Për herë të parë është hequr konkurrimi midis grupeve, bazuar në konceptimin se vlerat folklorike nuk duhet të jenë në kompeticion me njëra-tjetrën pasi secila prej tyre është unike dhe e bukur në tërësinë e saj./ (24 qershor)
Gjirokastra e rrethuar me miq nga mbarë bota
Çdo natë është një festë, nga skena e kalasë te Sheshi i Çerçizit e çdo kalldrëm i Gjirokastrës. Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës 2023 është një skenë të hapur për të gjithë turistët vendas e të huaj dhe të akesohet falas.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama dhe djali i tyre i vogël, Zaho vizitoi të shtunën Kalanë e Gjirokastrës, e shndërruar në zemrën e Festivalit, me vizitorë të shumtë, artistë popullorë, artizanë, si dhe artëdashës të të gjitha moshave, të mbledhur së bashku për të shijuar një nga eventet më të mëdha të muzikës dhe valles tradicionale shqiptare, një ekspozitë e bukur e trashëgimisë kulturore jomateriale.
Rama u shpreh se “Gjirokastra më e bukur se asnjëherë, si asnjëherë e dashur për njerëz nga tërë anët e botës, e ku asnjëherë folklori ynë s’u ka folur me tingujt dhe ngjyrat e veta magjike kaq shumë njerëzve nga kultura të ndryshme.
Skena e këtij edicioni, i 11-ti për Gjirokastrën, është realizuar me fije artizanale të ndërthurura me elementet metalike të skenës, si rreze dielli që përhapen në nder të artizanëve shqiptarë.
Në natën e parë të Festivalit ishin të pranishëm përfaqësues të trupave diplomatike, qindra të ftuarve dhe një publiku dashamirës.
Mbresëlënëse ishte performanca e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që i surprizuan të pranishmit me një tribut për polifoninë, këtë pasuri të gjithë njerëzimit.
“U ndjemë si asnjëherë më parë të lidhur me njëri-tjetrin, pa dallime krahinash, jug apo veri, diasporë e vizitorë të ardhur nga e gjithë bota, për të shijuar këtë ngjarje të shumëpritur”, është shprehur ministrja e Kulturës, Elva Margariti./ (25 qershor)
Historiku i Festivalit Folklorik të Gjirokastrës
Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua në vitin 1968 në Kalanë e Gjirokastrës.
Festivali, si një nga evenimentet më të rëndësishme kulturore, bëri bashkë grupet artistike në çdo rreth duke i ftuar ata të performojnë së bashku në skenë çdo pesë vjet, përkatësisht 1973, 1978, 1983, 1988, në Kalanë e Gjirokastrës, ku janë zhvilluar rregullisht FFK-të.
Në festivalin e vitit 1973 në fazën përfundimtare, morën pjesë 1370 vetë. Në festivalin e vitit 1978, në fazën përzgjedhëse u aktivizuan rreth 53 mijë pjesëmarrës, ndërkohë që vetëm 1 560 persona interpretuan gjatë ditëve të festivalit.
Në vitin 1995, FFK u zhvillua në kalanë e qytetit të Beratit. Në muajin shtator 2000 FFK rikthehet përsëri në qytetin e Gjirokastrës. Ky festival ka qenë i konceptuar në formën e një gare folklorike, ku deri në festivalin e vitit 1988, janë dhënë çmime për grupet më të mira, ndërkohë që në edicionet e fundit të tij çmimet do të ndaheshin për bartësit dhe interpretuesit e folklorit.
FFK 2004 u zhvillua në Gjirokastër nga data 29 shtator deri në 5 tetor. FFK 2009 u zhvillua në Gjirokastër në datës 24 deri në 29 shtator 2009. Në vitin 2015 u zhvillua edicioni i nëntë.
Pjesëmarrja në Festival e grupeve folklorike nga Kosova, shqiptarët e Maqedonisë dhe Malit të Zi, arbëreshëve, arvanitasit, diasporës së largët si dhe të folklorit çam, etj, shërben për të zgjeruar jo vetëm hapësirat gjeografike të folklorit shqiptar, por sjell edhe vlera të papërsëritshme në interpretimin dhe ekzekutimin e trashëgimisë kulturore shpirtërore tradicionale shqiptare duke e kthyer këtë veprimtari të rëndësishme në një festë të folklorit shqiptar./ (26 qershor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.