Bruksel (ANSA) – Një mbështetës i bindur i projektit evropian, i lidhjes midis shtetit të së drejtës dhe fondeve të kohezionit, i një thjeshtësimi burokratik që lejon sipërmarrjet të rriten vërtet: Raffaele Fitto prezantohet para eurodeputetëve dhe, në një seri përgjigjesh të shkruara që tradicionalisht paraprijnë seancat dëgjimore të komisionerëve kandidat, e bën duke vënë theksin mbi profilin e moderuar që ka karakterizuar deri tani jetën politike të ministrit italian.
Me një farë taktike, ministri për Çështjet evropiane kujton atyre që do ta shqyrtojnë më 12 nëntor ardhshëm prejardhjen e tij politike që nuk ka rrënjë as në ekstremën e djathtë as në lëvizjet anti-BE ose No Euro, por në Demokracinë Kristianë. Synimi jo edhe aq i fshehtë i Fitto është t’u tregojë eurodeputetëve se nuk është “i papërshtatshëm” për rolin e nënkryetarit të Komisionit dhe të titullarit të Kohezionit.
Për dosjet që do të ndjekë, pyetjet kanë shtrirje nga Peshkimi deri te Zgjerimi, por fokusohet kryesisht te Pnrr dhe Kohezioni. “Nëse do të konfirmohem, do të punoj që vendet të respektojnë reformat dhe investimet e dakorduara të përcaktuara në Pnrr brenda afatit të shpenzimeve të vitit 2026”, shpjegoi kandidati, duke mos përjashtuar megjithatë, kërkimin e zgjidhjeve alternative në rast se afati i fundit nuk mund të respektohet (23 tetor).