Rama: Mbështetja e BE kyçe për transformimin e bujqësisë shqiptare

Kryeministri Edi Rama u takua në Bruksel me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Bujqësinë, Janusz Wojciechowski, ndërsa mori pjesë në forumin “Global Gateway”, i cili fokusohet mbi sfidat aktuale të Europës dhe rëndësisë së bashkëpunimit ndërkombëtar.

Kryeministri Rama informoi se temë e diskutimeve ishin arritjet dhe sfidat e sektorit në kuadrin e partneritetit me Bashkimin Evropian.

Ai vlerësoi po ashtu se mbështetja e BE-së është kyç në transformimin e madh të bujqësisë shqiptare.

Përmes programeve IPARD I dhe II, BE ka adresuar në Shqipëri nevojat për mbështetje financiare të fermerëve dhe ndërmarrjeve agroturistike./ (27 tetor)

IPARD II rrit 63,5% sipërfaqen e kultivuar në serra

Falë investimeve nga programi IPARD II në Shqipëri u rrit me 63,5 ha sipërfaqja e kultivimit të perimeve në serra të cilat garantojnë produkte cilësore dhe konkurruese gjatë gjithë vitit, nxitur nga nevojat e tregut vendas, por edhe kërkesat për eksport.

IPARD mbështeti kompaninë “Agro Sina” në Lushnjë, rreth 80 kilometra në jugperëndim të Tiranës, për të ndërtuar një sipërmarrje model.

Kompania aplikoi në thirrjen e parë të programit IPARD II dhe investoi në kultivimin e fidanëve në serra me teknologji të lartë, me një strukturë që mbështetet në sistemin inovativ të klimës dhe ujitjes, për matjen e parametrave të kushteve të brendshme.

Kjo serrë ka një rëndësi strategjike në këtë zonë, e cila dallohet për aktivitet të lartë bujqësor, duke mundësuar edhe furnizimin me fidanë të fermerëve përreth.

Vetëm në Fier, 105 kilometra në jugperëndim të Tiranës, janë mbështetur 54 sipërmarrje për kultivimin e perimeve në serra, me një vlerë granti prej 11,6 milionë euro, të cilat janë fonde të Bashkimit Evropian në bashkëfinancim me qeverinë shqiptare./ (27 tetor)

Mbështetje edhe bujqësisë organike në Shqipëri

Bujqësia organike në Shqipëri po rrit ritmin e zhvillimit për shkak të rritjes gjithnjë e më të madhe të kërkesës, kryesisht nga flukset e larta turistike të viteve të fundit.

Po ashtu, fermat me prodhim organik tashmë kanë mundësi të eksportojnë produktet e tyre.

Ky trend po mbështetet me fonde nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) përmes Skemës Kombëtare, ndërsa prej vitit 2017 e deri tani, janë financuar 307 ferma me një fond prej 46,4 milionë lekësh.

Ndërkohë, AZHBR ka në proces financimi edhe 27 ferma të reja organike.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural përzgjodhi agroturizmin si modelin më të suksesshëm, teksa vlerësoi se fermat bujqësore organike janë një vlerë e shtuar dhe fitimprurëse për zhvillimin rural në tërësi./ (27 tetor)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.