Konsolidimi i Diasporës dhe forcimi i rolit të saj në përparimin e vendit

Në Ditën e Diasporës u zhvillua mbledhja vjetore e Këshillit Koordinues të Diasporës, me pjesëmarrjen e anëtarëve të këtij këshilli, të cilët janë bërë të njohur në vende të ndryshme të botës me punën e spikatur dhe kontributin e rëndësishëm në të gjitha nivelet.

Kryeministri Edi Rama dhe ministra të kabinetit qeveritar ishin pjesë e këtij takimi, i cili mbahet në këtë nivel, pas një periudhe shkëputje për shkak të pandemisë.

Këshilli Koordinues i Diasporës ka mision të krijojë ura me vendin amë dhe të kontribuojë në konsolidimin e një diaspore të vetëdijshme për misionin e saj atdhetar, të ruajë, të kultivojë dhe të përhapë gjuhën, kulturën dhe traditat më të mira shqiptare, të mbështesë dhe orientojë potencialet intelektuale të saj në shërbim të zhvillimit shoqëror, politik dhe ekonomik të vendit.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka u shpreh se “misioni ynë është konsolidimi i diasporës dhe forcimi i rolit të saj në përparimin e vendit”.

Ajo theksoi se “detyrimi që kemi ndaj diasporës është i madh e i pashlyeshëm” duke shtuar se  “forcimi i marrëdhënieve me diasporën është po ashtu një mundësi e një potencial i jashtëzakonshëm”.

Kryediplomatja tha se  gjysma e shqiptarëve jetojnë jashtë vendit duke sjellë në vëmendje komunitetet historike në SHBA, Australi dhe Turqi dhe atyre më të vonshme në Greqi, Itali, Gjermani, Zvicër, Angli, Kanada e tjerë.

Ministrja theksoi se “ky bashkëpunim është i mundur sepse sot ekziston një filozofi e re që diasporën nuk e sheh thjesht si një burim të ardhurash që na ndihmojnë të kalojmë kohën e vështirë, por si një partnere në këtë përpjekje”./ (19 dhjetor)

Amnistia fiskale formalizon të ardhurat

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij u ndal te realizimi i i amnistisë fiskale duke theksuar se “duhet të realizohet me çdo kusht” ndërsa shprehu besimin se “bashkësia ndërkombëtare nuk do ta pengojë këtë proces, por do ta monitorojë”.

Kryeministri theksoi se “amnistia fiskale dhe penale mbështetet nga shumica e shqiptarëve dhe është një instrument kushtetues që ne do ta përdorim në funksion të njerëzve të këtij vendi dhe të luftës kundër informalitetit”.

Rama tha se “amnistia fiskale është shumë e rëndësishme për të gjithë emigrantët sepse ky është një fenomen masiv i prodhuar nga sakrificat e jashtëzakonshme dhe një sasi pune e kryer në vendet e zhvilluara, ku po t’i mbledhim të gjitha orët bashkë që shqiptarët i kanë falur ekonomisë informale në vendet e zhvilluara do të na rezultonte një volum skllavërie i paimagjinueshëm”.

Sipas tij “nuk mund të penalizohen 99% e shqiptarëve që kanë jetuar edhe duke kryer tre punë të ndryshme dhe janë abuzuar nga pronarët për shkak të 1% të shqiptarëve që as nuk është subjekt i kësaj amnistie dhe as nuk i përfaqëson gjithë shqiptarët”./ (18 dhjetor)

Remitancat u rritën në 592 milionë euro

Paratë që emigrantët kanë dërguar në Shqipëri tek të afërmit e tyre në nëntë muajt e parë të këtij viti kanë ardhur në rritje, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.

Sipas statistikave të bilancit të pagesave të BSH-së, prurjet e emigrantëve ose remitancat, për 9-mujorin 2022 arritën në 592 milionë euro, duke u rritur me 10% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në tremujorin e tretë, prurjet ishin 216 milionë euro, me një zgjerim prej 8,5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo është një periudhë kur ka shtim të parave që emigrantët sjellin në vend për shkak të sezonit veror. Dërgesat e emigrantëve po ndjekin një trend rritës.

Vitin e kaluar, këto dërgesa arritën në vlerën e 761 milionë eurove, niveli më i lartë që prej vitit 2009./ (17 dhjetor)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.