Forumi i Investimeve BE-Ballkani Perëndimor u zhvillua përgjatë dy ditëve, 13-14 tetor në Tiranë ku pati angazhim të fortë ekonomik.

Në kuadër të forumit u nënshkruan letra qëllimi për projekte me vlerë rreth 400 milionë euro në fushat e Inteligjencës Artificiale, energjisë së pastër dhe industrisë automotive.

Autoritetet shqiptare theksuan se forumi po forcon ndjeshëm lidhjet ekonomike ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Forumi shërben si një platformë e rëndësishme për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, nxitjen e inovacionit dhe përshpejtimin e konvergjencës ekonomike të rajonit me Bashkimin Evropian.

Aktiviteti i parë i forumit, “IPAs Connect vuri në qendër të vëmendjes bashkëpunimin rajonal dhe nxitjen e investimeve të huaja direkte në rajon.

Përfaqësues nga institucionet e Bashkimit Evropian, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Banka Botërore dhe agjencitë e promovimit të investimeve nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor prezantuan punën e tyre, kornizën ligjore dhe fushat prioritare të investimeve, si dhe ndanë sfidat me të cilat përballen në tërheqjen e investimeve të huaja.

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve nënshkroi Memorandum Mirëkuptimi (MOU) me Agjencinë e Promovimit të Investimeve të Bosnjës dhe Hercegovinës (FIPA).

Ky memorandum synon forcimin e bashkëpunimit institucional, nxitjen e iniciativave të përbashkëta, dhe realizimin e ideve të reja investimi që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të rajonit.

Samiti i Investimeve BE-Ballkani Perëndimor bashkon liderë rajonalë dhe ndërkombëtarë, agjenci homologe të investimeve dhe aktorë ekonomikë që ndajnë një vizion të përbashkët për një të ardhme bashkëpunimi, zhvillimi dhe besimi reciprok në rajon.

Forumi i investimeve BE-Ballkani Perëndimor u përshëndet në nisje të punimeve, më 13 tetor nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e cila bëri të ditur se përmes kësaj nisme synohet të tërhiqen investime në vlerën e rreth 6 miliardë eurove në të gjithë rajonin. (14 tetor)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.