Është gati projekti i segmentit rrugor Milot-Fier, pjesë e Korridorit Blu, njëkohësisht pjesë e European Connectivity Network, që lidh Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë me unazën mesdhetare dhe aktualisht ndalet në jug të Kroacisë. Kjo rrugë lehtëson edhe lidhjen me Kosovën dhe afron ndjeshëm Veriun me Jugun e Shqipërisë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë lançoi disa prej loteve të këtij Korridori, me pjesëmarrjen e drejtuesve të pushtetit vendor, përfaqësuesve të biznesit dhe operatorëve turistikë.
I pranishëm në takim ishte edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili gjatë fjalës së tij theksoi se “Korridori Blu do t’i shërbejë drejtpërdrejt të gjitha zonave që janë përreth tij si edhe turizmit dhe bujqësisë”.
Kjo vepër infrastrukturore u përfshi në burimet financiare, në kuadër të Procesit të Berlinit.
“Që nga hyrja në Murriqan deri në Fier, do të kemi të gjithë boshtin e Korridorit Blu, që do t’i shërbejë drejtpërdrejt të gjitha zonave që janë rreth këtij korridori dhe transformimit të mëtejshëm ekonomik dhe social të vendit”, theksoi Rama.
Me këtë korridor mbyllet një pjesë e madhe e rrjetit kryesor të Shqipërisë ndërkohë që po punohet edhe për projektin e zgjerimit të rrugës Elbasan-Qafë Thanë. Rama deklaroi se “po punojmë me Bashkimin Europian dhe Planin Ekonomik të Investimeve që Korridori VIII të jetë një realitet në pikëpamje të çdo standardi”./ (4 gusht 2022)
2,000 të punësuar dhe 400 milionë euro përfitim ekonomik
Segmenti rrugor Milot-Fier do të jetë autostrada e parë në Shqipëri që do të ketë shpejtësi maksimale që arrin deri në 130 km në orë.
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës e Shqipërisë, Belinda Balluku deklaroi se “aksi rrugor Milot-Fier është një projekt jo vetëm kombëtar, por edhe rajonal dhe evropian”.
Balluku theksoi se “kjo është një nga sfidat më të mëdha të qeverisë Rama”.
Ky korridor është pjesë e Korridorit të madh Mesdhetar 1,550 kilometra i gjatë. Në pjesën e Shqipërisë Korridori Blu përshkon 300 kilometra ose 37% të Korridorit Blu dhe 7,5% të Korridorit Mesdhetar.
Ajo theksoi se “një pjesë të Korridorit Blu ose 114 kilometrat e para, nga Miloti në Fier, me disa segmente rrugore më të shkurtra, do të lançohen për garën ndërkombëtare duke u dhënë mundësi sa më shumë kompanive që të garojnë për ndërtimin e tyre”.
“Për segmentin rrugor Thumanë-Kashar ka nisur puna, ndërsa për segmentin tjetër Milot-Murriqan po presim projektimin nga konsulentët”, sqaroi Balluku.
“Projekti pritet të ketë një impakt pozitiv ekonomik prej 400 milionë eurosh si dhe do të punësojë 2,000 persona”, informoi ministrja./ (3 gusht 2022)
Investimet në veprat infrastrukturore
Në katër vite janë realizuar një sërë projektesh të rëndësishme duke nisur nga ai Tiranë-Elbasan, Bypass-i i Fierit, Bypass-i i Vlorës, i Tepelenës, i Shkodrës dhe së fundmi edhe rruga Kardhiq-Delvinë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë po vijon punën për ndërtimin e segmenteve të tjera rrugore siç janë ai Orikum-Dukat, Korçë-Ersekë dhe Tuneli i Llogorasë. Ndërkaq parashikohet të vijojë puna për ndërtimin e rrugës turistike Palasë-Dhërmi 4,5 kilometra që lehtëson lëvizjen e automjeteve përgjatë Rivierës Shqiptare.
Ndërkohë, qeveria shqiptare është angazhuar për ndërtimin e aeroporteve ndërkombëtare të Vlorës dhe Sarandës, pas atij të Kukësit, që operon me 12 fluturime në javë me destinacione Vjenën, Bazelin, Karlsruhen, Memingenin dhe Zyrihun.
Aeroporti i Mynihut, i cili është operatori i parashikuar për aeroportin e Vlorës, ka lançuar një tender për mjetet logjistike të operimit.
Ndërsa për ndërtimin e aeroportit të Sarandës, tenderi ndërkombëtar do të hapet së shpejti./ (1 gusht)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.