Përmes programit “EU4 Culture” Bashkimi Evropian ka rinovuar tashmë 14 site të trashëgimisë kulturore, ndërkohë që punimet po vijojnë në 9 site të tjera në Shqipëri.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato deklaroi në ceremoninë e inaugurimit të punimeve restauruese të Muzeut Etnografik në Krujë, 35 kilometra në verilindje të Tiranës, se “sot është vërtetë një ditë shumë e rëndësishme, një gur i rëndësishëm kilometrik në programin e BE-së për kulturën, një program të cilin e lançuam pas tërmetit të vitit 2019 dhe qëllimi ishte të mbështesnim trashëgiminë kulturore të Shqipërisë dhe të promovonim zhvillimin vendor të ekonomisë, sepse të dyja ecin krah për krah me njëra-tjetrën”.
“Ky program është një nga programet më të mëdha dhe ambicioze të trashëgimisë kulturore që të ketë financuar ndonjëherë BE në Ballkanin Perëndimor, duke treguar kështu solidaritetin e BE në shembullin e vetë më të mirë dhe duke dëshmuar kështu për marrëdhëniet kaq të mira që kemi ne BE-ja dhe Shqipëria”, tha Gonzato.
“Ne tashmë kemi rinovuar 14 site të trashëgimisë kulturore, ndërkohë që punimet po vijojnë në 9 site të tjera në Shqipëri”, theksoi ai.
“Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për rinovimin e ndërtesave, por edhe të festojmë së bashku larminë e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Ky muze është një shembull i mrekullueshëm i kësaj pasurie historike të Shqipërisë”, tha ai./ (24 korrik)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.