Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë do të ndjekë nga afër procesin e zgjedhjes së kreut të ri të strukturës së posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato zhvilloi një takim me kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, nga i cili përcolli mesazhin se delegacioni i BE-së do të vijojë po ashtu, të mbështesë të gjithë sistemin gjyqësor në forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe efikasitetit në të gjitha nivelet.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është një nga organet e reja të qeverisjes së gjyqësorit, dalë nga Reforma në Drejtësi.

“Një sistem drejtësie i besueshëm dhe i pavarur mbetet thelbësor për të forcuar besimin e qytetarëve dhe për të avancuar rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh Gonzato.

Gjatë takimit me Bogdanin, Gonzato diskutoi punën në të ardhmen dhe momentet kyçe që priten, përfshirë përzgjedhjen dhe emërimin e kreut të ri të SPAK.

Gonzato deklaroi se delegacioni i BE-së do të ndjekë nga afër këtë proces sikundër dhe do të vijojë mbështetjen për sistemin e Drejtësisë.

KLP ka një rol thelbësor në garantimin e procedurave transparente dhe të bazuara në meritë për ngritjet në detyrë, vlerësimet dhe standardet profesionale brenda sistemit të prokurorisë.

“Ne do të vazhdojmë të asistojmë KLP-në me ekspertizën tonë më të mirë për të ndihmuar Shqipërinë të përmbushë standardet e BE-së”, u shpreh Gonzato.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) si organ i dalë nga Reforma në Drejtësi ka luajtur rol në avancimin e axhendës së integrimit të Shqipërisë me goditjen e pandëshkueshmërisë në disa nivele.

Pas një jave KLP do të nisë procesin e zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK-ut ëe do të pasojë Altin Dumanin në detyrë.

Tre vjet më pare Dumani, mori shumicën e votave të KLP-së, 5 nga 11 të pranishëm në mbledhje. (11 shtator)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.