Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato vlerësoi se parafinancimi prej 64,5 milionë eurosh në kuadër të Planit të Rritjes përbën një tjetër moment të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

Ambasadori Gonzato theksoi se “BE mbështet Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit”.

“Urime Shqipërisë për arritjen e një tjetër momenti të rëndësishëm në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE. Plani i Rritjes nxit ekonominë, forcon sundimin e ligjit, mbështet një Shqipëri më të gjelbër dhe fuqizon kapitalin njerëzor”, u shpreh  ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato.

Shqipëria sapo mori 64,5 milionë euro parafinancim sipas Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Kjo pagesë e parë mbështet reformat dhe investimet e Shqipërisë për të forcuar vendin dhe për ta afruar atë me Bashkimin Evropian.

Shqipëria mori parafinancimin e parashikuar në kuadër të Mekanizmit për Reforma dhe Rritje të BE-së. Ai është pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili synon të përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike të rajonit me BE-në dhe të hapë rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Në një njoftim për mediet, zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë bën të ditur se, parafinancimi, me vlerë 64,5 milionë euro, do të mbështesë zbatimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Mekanizmit për Reforma dhe Rritje, si dhe angazhimet që ka marrë Shqipëria me të. Me këtë parafinancim, Shqipëria mori 30 milionë euro kredi koncesionare për buxhetin e shtetit si mbështetje për zbatimin e reformave në kuadër të Agjendës së Reformave të vendit. Parafinancimi i mbetur prej 34,5 milionë eurosh në grante dhe hua koncesionare do t’i injektohet drejtpërdrejt WBIF-it (Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor) për investime në infrastrukturë në Shqipëri./ (26 mars)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.