I pranishëm në një aktivitet në Tiranë mbi performancën e institucioneve të drejtësisë, të organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato deklaroi se BE do të vijojë të mbështesë reformën në drejtësi, teksa u shpreh se, procesi i vetingut bëri që Shqipëria të jetë në negociata për anëtarësimin e saj në BE.
“Që prej fillimit të procesit që çoi në reformën e drejtësisë të vitit 2016, BE ka mbështetur krijimin e një SPAK-u të fortë, të pavarur dhe llogaridhënës dhe ne do të vazhdojmë në të njëjtën rrugë. SPAK-u shpesh përmendet për punën e vet në hetimin e çështjeve antikorrupsion të nivelit të lartë, por ne kemi parë rezultate të rëndësishme edhe në përpjekjet e veta për të luftuar krimin e organizuar dhe ka shifra të qarta në lidhje me këtë çështje”, tha Gonzato.
Sipas tij, Prokuroria e Posaçme ka krijuar bashkëpunim solid me homologët ndërkombëtarë përfshirë dhe në veçanti me BE-në, për të hetuar aktivitetet e grupeve të krimit të organizuar që tejkalojnë kufijtë dhe që sjellin pasoja të rënda dhe të drejtpërdrejta edhe në sigurinë e qytetarëve të BE.
Por shtoi ai, “për një gjë duhet të jemi të qartë. Ne duhet të kemi besim tek arkitektura e reformës në drejtësi si ajo që mund të arrijë drejtpeshimin e duhur dhe të drejtë ndërmjet llogaridhënies dhe pavarësisë dhe të inkurajojmë të gjitha institucionet të punojnë kundrejt këtij objektivi”, tha ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato.
Në të njëjtën tryezë, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, Altin Dumani u shpreh se “SPAK ka treguar se është në gjendje që në respektim të ligjit dhe kushtetutës të kryejë në pavarësi të plotë hetime të guximshme kundër zyrtarëve të lartë shtetërorë çka dëshmon se epoka e paprekshmërisë po lëkundet”.
“Hetimet tona gjithashtu kanë goditur grupe kriminale të përfshira në trafiqet ndërkombëtare të drogës, pastrimin e parave, trafikimin e qenieve njerëzore, organizata kriminale të cilat kanë për objektiv kryerjen e veprave penale, vepra shumë të rënda kundër jetës sidomos kundër kundërshtarëve të tyre. Rritja e kapaciteteve të SPAK ka vendosur themele të shëndosha në çështje të komplikuara të korrupsionit dhe zyrtarëve të lartë publikë”, tha Dumani. (27 shkurt)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.