Në Shqipëri, palët politike përgatiten të ngrenë komisionin e posaçëm parlamentar për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore.
Komisioni pritet të adresojë tema të rëndësishme si depolitizimi i komisionerëve, nxjerrjen e shpejtë të rezultatit pas përfundimit të zgjedhjeve dhe pika të tjera të rekomanduara në raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë Silvio Gonzato u shpreh se BE mirëpret angazhimin e palëve politike për ngritjen e një komisioni të përbashkët për Reformën Zgjedhore.
Gjatë një konference në Tiranë me temë “Mbikëqyrja e Digjitalizimit në Proceset Zgjedhore: Drejt Konvergjencës midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, Gonzato inkurajoi palët që të kenë një proces gjithëpërfshirës të bazuar tek faktet dhe të udhëhequr nga OSBE-ODIHR dhe nga rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Sipas Gonzatos, nismat në këtë drejtim kanë për synim për të vlerësuar mjedisin e përgjithshëm, jo vetëm kuadrin ligjor, që mund të ndikojë në fushën e lojës për zgjedhjet, që sipas OSBE-ODIHR ka munguar. Ai theksoi se nisma tregon edhe faktin që është kuptuar se ekziston nevoja për t’u përballur me sfidat e së shkuarës dhe me ato të së ardhmes.
“Ne në Bashkimin Evropian mirëpresim të gjitha këto hapa dhe inkurajojmë që të keni një proces gjithëpërfshirës, të bazuar tek faktet, të udhëhequr nga OSBE-ODIHR dhe nga rekomandimet e Komisionit të Venecias. Pra, rekomandimet e të dyja palëve OSBE dhe Komisionit të Venecias”, theksoi Gonzato.
Gonzato u shpreh se “KQZ ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për një analizë pas zgjedhjeve me propozime për të fuqizuar transparencën dhe efikasitetin në procese të ardhshme zgjedhore. Ne i mbështesim plotësisht këto propozime”.
Më tej, Gonzato adresoi edhe përdorimin e teknologjisë si mjet për modernizimin e sistemeve zgjedhore, edukimin e zgjedhësve, trajnimin e infrastrukturave.
“BE dhe Këshilli i Evropës janë krenarë që të vazhdojnë partneritetin me anën e një projekti të ri mbështetjeje për ciklet zgjedhore në Shqipëri, natyrisht me përfitues kryesor KQZ”, tha Gonzato.
Sipas Gonzatos, ky projekt ka për synim që të përmirësojë kapacitetet e KQZ-së, t’i fuqizojë ata si edhe të promovojë pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse të shoqërisë civile dhe të medias duke ruajtur dhe transparencën digjitale.
Reforma zgjedhore dhe digjitale janë pjesë e angazhimeve që ka marrë Shqipëria për t’u bërë shtet anëtar, pjesë e grup-kapitullit 1 – Çështjet themelore, dhe kontribuojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë tek udhërrëfyesi për funksionimin e institucioneve demokratike, që theksojnë rëndësinë e zgjedhjeve, transparencë, llogaridhënie dhe pjesëmarrjen e qytetarëve që janë themelet e BE-së.
Sipas tij, teknologjitë digjitale po e vendosin këtë hallkë të demokracisë para sfidave, ndaj Brukseli do ta ndihmojë Shqipërinë me reflektimin e rreziqeve të reja në legjislacion.
“Digjitalizimi ofron mundësi të mëdha për pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse, transparencën, por sjell edhe cenueshmërinë për manipulim që vjen nga Inteligjenca Artificiale, për dezinformimin dhe keqpërdorimin e të dhënave”, shtoi ambasadori.
“Bashkimi Europian ka krijuar një nga kuadër më gjithëpërfshirës digjital, duke përfshirë ligjin për shërbimet digjitale, ligjin për lirinë e fjalës dhe të medias, ligjin për Inteligjencën Artificiale dhe së shpejti do të kemi një rregullore për transparencën dhe reklamat politike. Këto instrumente nuk krijohen vetëm për rregullimin e tregjeve, por janë krijuar për të mbrojtur qytetarët, për të siguruar konkurrencën dhe për të ruajtur besimin te institucionet, që është thelbësore për proceset zgjedhore”, u shpreh ambasadori europian. (21 tetor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.