Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato vizitoi Këshillin e Lartë të Prokurorisë ku u takua me kryetaren Mirela Bogdani dhe anëtarët e KLP-së me të cilët bisedoi për rolin e rëndësishëm të organeve të Drejtësisë në rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

Ambasadori vlerësoi se në këtë fazë kritike të negociatave me BE-në, institucionet e pavarura të drejtësisë kanë një rol kyç për të luajtur.

Ai rikonfirmoi mbështetjen e BE-së, vlerësoi progresin e Këshillit dhe inkurajoi përpjekjet e vazhdueshme për të garantuar efikasitetin dhe llogaridhënien e zyrave të prokurorisë.

“Ne përgëzojmë dialogun e shtuar midis institucioneve të pavarura të drejtësisë, përfshirë ILD-në, sepse kjo sjell përgjigje koherente dhe të koordinuara ndaj sfidave të përbashkëta”, u shpreh ambasadori.

Gonzato shprehu po ashtu besimin se këto institucione duhet të kontribuojnë në mënyrë aktive dhe të përfshihen në çdo diskutim mbi ndryshimet ligjore që prekin sistemin gjyqësor.

Shqipëria deri tani ka hapur negociatat për 24 kapituj në vetëm 8 muaj dhe mbeten vetëm 11 të tjerë për t’u hapur.

Qeveria shqiptare synon përparim të shpejtë me objektivin e mbylljes së negociatave në vitin 2027. (27 qershor)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.