Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është një proces transformues i të gjithë shoqërisë që do të thotë se qeveria shqiptare, parlamenti dhe shoqëria civile duhet të punojnë ngushtë së bashku.

Në Tiranë u mblodh Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian për të diskutuar ecurinë e procesit të negociatave dhe nevojën për më shumë përfshirje të shoqërisë shqiptare.

Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato përshëndeti progresin e bërë nga Shqipëria në negociata dhe rëndësinë e përafrimit të ligjeve shqiptare me standardet e BE-së në të gjitha fushat.

“Ndërsa procesi i anëtarësimit në BE përshpejtohet, është edhe më e rëndësishme që qeveria të vendosë mekanizma efektivë për të komunikuar, konsultuar dhe marrë parasysh pikëpamjet dhe interesat e shoqërisë civile, biznesit dhe aktorëve të tjerë të shoqërisë. Kjo nuk është vetëm çështje transparence, llogaridhënieje, por edhe akses në ekspertizën e duhur,” tha ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, deputetja e Partisë Demokratike të opozitës, Jorida Tabaku u shpreh se vendi ndodhet në një moment vendimtar për procesin e negociatave me BE-në, pasi po afrohen zgjedhjet dhe Shqipëria është në prag të hapjes së negociatave me katër grup-kapituj.

Duke komentuar mbi progresin e integrimit, Tabaku theksoi se Shqipëria nuk duhet të mburret me hapjen e kapitujve, por duhet të fokusohet në mbylljen e tyre me sukses.

Takimi u fokusua edhe në rregullat e BE-së për luftimin e diskriminimit dhe promovimin e barazisë, në prani të Robert Gajdës, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

BE-ja do të vazhdojë të trajtojë diskriminimin në bazë të gjinisë, origjinës racore ose etnike, fesë ose besimit, paaftësisë, moshës ose orientimit seksual dhe do të mbështesë aktorët që punojnë në këtë fushë. (12 mars)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.