Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, takoi sot drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK) Klodjan Braho i zgjedhur në këtë detyrë në fund të vitit të kaluar.
SPAK është një nga institucionet e ngritura në kuadër të reformës në Drejtësi në Shqipëri, reformë e mbështetur fuqimisht nga partnerët ndërkombëtarë të vendit.
Gonzatoi bëri të ditur se e përgëzoi Brahon për arritjet e SPAK-ut deri më sot dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të rezultateve të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që e cilësoi element kyç për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Sipas Gonzatos, forcimi i kapaciteteve hetimore dhe garantimi i standardeve të larta në hetime dhe ndjekje penale, janë vendimtare për konsolidimin e progresit dhe arritjen e rezultateve të qëndrueshme.
“Bashkimi Evropian mbetet plotësisht i përkushtuar për të mbështetur SPAK-un dhe sundimin e ligjit në Shqipëri,” nënvizoi Gonzato.
Klodian Braho u zgjodh drejtues i SPAK në dhjetor 2025 për një mandat 3-vjeçar, pasi përfundimit të mandatit të Altin Dumanit.
Në konkluzionet e publikuara në fund të vitit të kaluar sa i takon procesit të zgjerimit, Këshilli Evropian mirëpriti progresin e konsiderueshëm të arritur nga Shqipëria që ka çuar në hapjen e të gjitha grup-kapitujve negociues, duke nënvizuar se ecuria e negociatave do të varet kryesisht nga përparimi në grup-kapitullin “Themeloret”.
Këshilli ka vlerësuar pozitivisht progresin e Shqipërisë në zbatimin e reformës në drejtësi dhe përparimin e bërë në procesin e integrimit evropian, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së standardeve të larta të vendosura nga procesi i vetting-ut.
Gjithashtu Këshilli thekson se duhet respektuar pavarësia e gjyqësorit dhe rolit të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). (6 janar)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.
