Në Tiranë u mbajt takimi i dytë i nivelit të lartë “Shqipëria 2030 në BE – Rruga e reformave”, ku të pranishëm ishin autoritetet më të larta shtetërore shqiptare si dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato deklaroi gjatë fjalës së mbajtur në takimin e titulluar “Dialogu social në vendet e Ballkanit Perëndimor” se Bashkimi Evropian është mbështetës ndaj politikave sociale në Shqipëri.

Politikat sociale, sipas tij, duhet të jenë në fokus, pasi shihet një pasiguri në raport me vendin e punës nga të rinjtë, duke parë dëshirën e tyre për emigrim.

“Dialogu social luan rol në shëndetin e Shqipërisë dhe është pjesë e rëndësishme e politikave sociale dhe të punësimit që janë edhe pjesë e grup-kapitullit numër 3 që do të çelet shumë shpejt”, tha Gonzato.

Shqetësim tjetër, theksoi Gonzato, “është cilësia e arsimit. Por edhe korrupsioni, është pengesë e madhe për të rinjtë që të realizojnë ëndrrat”.

Sipas tij, mungon një sistem që bazohet te merita.

“Na duhet një dialog social më domethënës. Shpesh OJQ-të janë në pozitë më të mirë se zyrtarët për të folur me të rinjtë”, u shpreh ambasadori Gonzato.

“Bashkimin Evropian e keni në krah për t’ju ndihmuar me punësimin dhe dialogun social, përmes Planit të Rritjes, që adreson çështjet socio-ekonomike në Shqipëri, por edhe në Ballkanin perëndimor në tërësi”, tha Gonzato.

Ndërkaq, Kryeministri Edi Rama tha në takim se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është një domosdoshmëri e cila e ndan nga historia e hijeve të së shkuarës.

Rama theksoi se vendi duhet të përfitojë nga mundësia aktuale për të mbyllur negociatat deri në vitin 2027.

“Për ne shqiptarët të qenit anëtarë të BE-së është të qenit të lirë nga hija e historisë sonë dhe të qenit përfundimisht të sigurtë se liria jonë individuale dhe barazia para ligjit për të cilën po bëjmë këtë përpjekje të madhe nuk do të jenë më një atribut i lëvizshëm në varësi se kush qeveris këtu në Tiranë”, vuri në dukje Rama.

Kryeministri vuri theksin tek reformat që po zbaton Shqipëria. Duke përmendur progresin në luftën kundër korrupsionit dhe mirëqeverisjen, Rama theksoi se procesi i negociatave tashmë ka hyrë në një fazë më të avancuar.

Rama deklaroi se “Shqipëria ka vetëm një zgjedhje, vetëm një plan, një rrugë që është Bashkimi Evropian”.

Në takim diskutuan edhe drejtues të lartë të institucioneve shqiptare si kryeparlamentarja Elisa Spiropali, kryetari i komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, Fatmir Xhafaj. (4 prill)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.