Me mbështetjen e projektit “BE për Drejtësi” në Tiranë u organizua konferenca e nivelit të lartë që mblodhi gjyqtarë, prokurorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë për të diskutuar se si një praktikë gjyqësore më e qartë dhe më e njëtrajtshme mund të përmirësojë cilësinë e drejtësisë në Shqipëri.

Diskutimet u përqendruan në forcimin e cilësisë së drejtësisë përmes aksesit më të mirë në praktikën gjyqësore dhe një koordinimi më të mirë, për të garantuar vendime më të drejta dhe më të parashikueshme.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh gjatë fjalës në konferencë se Drejtësia është në zemër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Ai vuri në dukje se konferenca është thelbësore, sepse lidhet me diçka shumë konkrete për çdo qytetar: cilësinë dhe efikasitetin e drejtësisë.

“Konferenca e sotme vendos tonin për vitin që do kemi para, me fokus te shteti i së drejtës, te konsolidimi i reformës në drejtësi, mbështetja për gjithë institucionet e drejtësisë, Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese”, tha ambasadori Gonzato.

“Nuk është e lehtë për gjyqtarët shqiptarë të përballen me numrin e madh dhe në rritje të çështjeve të prapambetura, ndërkohë që duhet të sigurojnë edhe një standard të lartë drejtësie. Ky realitet kërkon veprim kryesor nga KLGJ dhe KLP, para së gjithash përmes rritjes së numrit të gjyqtarëve, të mbështetur nga një numër i mjaftueshëm këshilltarësh dhe asistentësh ligjorë”, u shpreh Gonzato.

Po ashtu, ambasadori shprehu gatishmërinë për vijimin e mbështetjes nga ana e BE.

“Ndërsa Shqipëria ecën drejt anëtarësimit në BE, integrimi i së drejtës së BE-së në vendimmarrjen gjyqësore është thelbësor dhe, së bashku me projektin ‘BEpërDrejtësi’, ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim,” u shpreh ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.

Ndërkaq, gjatë fjalës në konferencë, kreu i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Sokol Sadushi u shpreh se shqyrtimi i dosjeve me shpejtësi është një faktor i rëndësishëm, por shpejtësia pa koherencë sjell rrezikshmëri juridike.

Sadushi tha se “cilësia e drejtësisë nuk matet vetëm me shpejtësinë e gjykimit apo uljen e ngarkesës së çështjeve, por mbi të gjitha me forcën e arsyetimit, qartësinë dhe me parashikueshmërinë e vendimmarrjes”. (14 janar)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.