Reforma në Drejtësi në Shqipëri po funksionon, është qëndrimi i Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvion Gonzato.
Në një takim të organizuar nga BE, Gonzato theksoi se Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe Krimit të Organizuar duhet lejuar të bëjë punën e saj.
“Ne nuk flasim për hetime që po zhvillohen, por mund të themi se ajo që po ndodh është ajo që ne kemi pritur. Dhe natyrisht, reforma në drejtësi e vitit 2016 është duke funksionuar”, tha ai.
“Ne duhet të lejojmë që SPAK të bëjë punën e vet, të krijojmë hapësirën që ta bëjë këtë. Në të njëjtën kohë, mund të them se ndoshta ajo reformë po siguron se sistemi gjyqësor është i pavarur, i pavarur nga ndikimi politik. Problemi që të gjithë e dimë se është pengesa kryesore e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së është korrupsioni”, u shpreh Gonzato.
“Unë besoj dhe shpresoj se SPAK do të bëjë punën e tij”, tha ambasadori Gonzato.
Gonzato ishte i pranishëm në një aktivitet të “EU4Muncipalities”.
Ky projekt shoqërohet me mbi 2,5 milionë euro të investuara në 19 bashki dhe ka ndihmuar në përmirësimin e shërbimeve lokale duke numëruar edhe rreth 50 000 qytetarë përfitues.
Faza e re e projektit do të ketë një buxhet të katërfishuar prej 10 milionë eurosh, që synon nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjen e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët shqiptarë./ (12 korrik)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.