Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Shqipëri, po synohet afrimi i të rinjve në debatin e angazhimit demokratik. 

Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato u takua me Ambasadorët e Rinj Evropianë që qëndrojnë pas fushatës “Unë Vendos” për të diskutuar rreth takimeve të ardhshme në gjashtë qytete të Shqipërisë.

Kjo fushatë sensibilizuese synon të inkurajojë të rinjtë – veçanërisht ata që votojnë për herë të parë – mbi rëndësinë e angazhimit demokratik në kontekstin e zgjedhjeve.

Nëpërmjet seminareve dhe diskutimeve, “Unë Vendos” synon të fuqizojë të rinjtë për të bërë zgjedhje të informuara dhe të nxjerrë në pah rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për rrugëtimin e Shqipërisë për integrimin në BE.

Ambasadorët e rinj evropianë në fund të fushatës së tyre ndajnë gjetjet dhe rekomandimet përfundimtare të fushatës “Unë Vendos”.

Sikundër viteve të tjera, fushata përfshin takime me të rinj në të gjithë Shqipërinë për t’i inkurajuar të përdorin të drejtën e tyre për të votuar dhe të angazhohen në formësimin e së ardhmes së komuniteteve ku jetojnë.

Mbështetur nga BE-ja, “Unë Vendos” gjeneron njohje më të mirë të procesit zgjedhor dhe dialogut se si të përfshihen më mirë të rinjtë në vendimmarrjen politike, si qytetarë të ardhshëm të BE-së që mund të nxisin ndryshime pozitive. (17 mars)