Procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri në kuadër të Reformës në Drejtësi është drejt fundit, me më pak se tetë muaj të mbetur deri në përfundimin e tij në qershor 2026.

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, gjatë vizitës që zhvilloi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA), ku edhe u takua me kryetarin Sokol Çomo, theksoi rëndësinë e finalizimit të të gjitha aktiviteteve të vetingut përpara qershorit 2026, kur përfundon mandati kushtetues.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, zyra e delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë theksoi se “vetingu mbetet shtylla kurrizore e reformës në drejtësi dhe përfundimi i tij është një hap themelor në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”.

Zyra e delegacionit të BE-së, nënvizoi gjithashtu se qëndron fort në mbështetje të procesit të vetingut dhe të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM).

“Sulmet e fundit të pajustifikuara dhe dezinformimi ndaj ONM-së dhe vëzhguesve të saj ndërkombëtarë janë të papranueshme dhe synojnë të minojnë besimin te sistemi i drejtësisë dhe reforma në drejtësi”, theksoi BE.

Vetingu ka qenë shtylla kryesore e reformës në drejtësi në Shqipëri. Ndërsa ka mbaruar procesi i rivlerësimit në shkallën e parë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, procesi pritet të mbyllet në qershor të 2026  edhe në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Sipas autoriteteve me rëndësi në këtë proces është fakti që institucionet kushtetuese bartëse të procesit të Vetingut, KLGJ, KLP dhe ILD do të vazhdojnë në vijimësi me të njëjtat standarde që ka pasur procesi i Vetingut për të mbajtur pastër sistemin e drejtësisë.

Vetingu dhe Reforma në Drejtësi vlerësohet në raportet ndërkombëtare si faktor kyç në avancimin e axhendës evropiane të Shqipërisë, ndërsa vlerësim të veçantë marrin rezultatet e  Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Shqipëria ka hapur pesë nga gjashtë grup-kapitujt e negociatave me synimin e hapjes së kapitullit të fundit brenda vitit dhe mbylljen e tyre brenda vitit 2027.  (7 nëntor)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.