Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato zhvilloi një vizitë në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, siç u shpreh ai, në shenjë mbështetjeje të BE ndaj institucioneve të pavarura të Drejtësisë.
Gonzato u takua me trupën e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa ndau në rrjetet sociale momente nga diskutimet me të.
“Jo vetëm që Gjykata është garantuesi i Kushtetutës dhe instanca më e lartë në vend për të mbrojtur të drejtat individuale kushtetuese; gjithashtu ka një rol të rëndësishëm për të luajtur gjatë negociatave dhe në përmbushjen e kërkesave të kapitullit 23, i cili është kyç për anëtarësimin e Shqipërisë”, theksoi ambasadori i BE-së në Tiranë Silvio Gonzato.
Reforma në Drejtësi në Shqipëri preku edhe Gjykatën Kushtetuese, e cila u vendos në funksionalitet të plotë vetëm janarin e vitit 2023, kur u zgjodh anëtari i nëntë i saj si dhe kryetarja e institucionit.
Gjykata Kushtetuese nuk funksionoi për më shumë se dy vjet për shkak se pesë anëtarë të saj nuk kaluan filtrin e vettingut, ndërsa tre të tjerë dhanë dorëheqjen duke i shpëtuar procesit të rivlerësimit.
Pas mungesave të krijuara nga procesi i vettingut, Gjykata Kushtetuese nisi punën në dhjetor 2020, pasi u plotësua kuorumi me 7 anëtarë.
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi. (7 mars)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.