Një tjetër sit i trashëgimisë kulturore i dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019 në Shqipëri është restauruar dhe i është kthyer publikut.

Hamami i Durrësit rihapi dyert e tij, duke i ofruar vizitorëve mundësinë të përjetojnë historinë e pasur dhe diversitetin kulturor të Shqipërisë.

I gjendur pranë Kullës Veneciane në qytetin bregdetar të Durrësit Hamami është një nga 15 sitet e trashëgimisë kulturore që janë rinovuar plotësisht përmes programit ‘EU4Culture’, ndërsa puna është duke vazhduar në 8 site të tjera.

Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato, i cili mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit u shpreh shumë i lumtur për inaugurimin e Hamamit, pasi, sipas tij ky vend është një testament i diversitetit fetar, social dhe kulturor të këtij vendi.

“Shqipëria është një shembull i shkëlqyer i kësaj bashkëjetese mes njerëzve me tradita të ndryshme. Kjo është edhe ajo që BE-ja përfaqëson, njerëz me kultura dhe tradita të ndryshme që jetojnë së bashku në harmoni”, theksoi Gonzato.

Hamami shërbeu deri në fund të shekullit të 19-të. Në qendër ka një kupolë sferike me lartësi 5.8 m, pajisur me 12 dritare të vogla për ajrosje. Ambientet ngroheshin me avull nëpërmjet tubacioneve prej qeramike. Furra gjendet në pjesën e prapme të hamamit.

Rikonstruksioni i siteve të trashëgimisë kulturore dhe historike në Shqipëri i shërben edhe turizmit ndërsa vendi përjeton flukse të shtuara vizitorësh. (9 tetor)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.