Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, Altin Dumani prezantoi strategjinë e parandalimit të krimeve elektorale në një tryezë të organizuar nga shoqëria civile lidhur me zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

“Ky është detyrim kushtetues dhe ligjor, por patjetër askush nuk duhet të ketë frikë dhe të vazhdojë në normalitetin e tyre të përditshëm, sa kohë nuk janë në shkelje të ligjit”, tha Dumani.

Dumani theksoi se, “zgjedhjet lidhen pazgjidhshmërisht me shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit me mirëqeverisjen, transparencën dhe llogaridhënien, të cilat janë pjesë e grup-kapitullit të parë të negociatave me BE-në”.

Ai siguroi se hetimi do të kryhet në përputhje me ligjin dhe pa ndikim politik.

I pranishëm në tryezë, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato deklaroi se taskforca e ngritur nga SPAK për monitorimin e zgjedhjeve të 11 majit, është një nismë e mirëpritur prej tij, për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Gonzato tha se, “blerja e votës dhe presioni ndaj votuesve vijon të jetë problem në Shqipëri”.

“Mezi po pres që të dëgjoj më shumë nga këto institucione lidhur me nismën e tyre dhe koordinimin”, tha Gonzato.

“Si pjesë e negociatave të anëtarësimit në BE, Shqipëria u angazhua për të forcuar më tej procesin e saj zgjedhor. Kjo përfshin adresimin e të gjitha rekomandimeve të pazgjidhura të ODIHR-it, duke përfshirë shtimin e përpjekjeve nga organet e zbatimit të ligjit për të identifikuar dhe hetuar të gjitha pretendimet për shkelje zgjedhore, në mënyrë të plotë, në kohë dhe transparente”, theksoi Gonzato. (22 shkurt)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.