“Botanica është një projekt inovativ që synon të revolucionarizojë mbrojtjen e bimëve duke ofruar një biopesticid të sigurt, efektiv dhe miqësor ndaj mjedisit. Ky produkt kërkon të zëvendësojë pesticidet tradicionale kimike, të cilat kanë ndikime negative si ndotja e tokës dhe ujit, dëmtimi i biodiversitetit dhe rreziqe për shëndetin e njeriut. Bazuar në përbërës natyralë me veti antifungale, antibakteriale dhe insekticide, Botanica do të jetë një zgjedhje e sigurt për fermerët dhe konsumatorët që kërkojnë produkte organike dhe të qëndrueshme”, thotë Adela Lamçe, një nga fitueset e hackathon-it të organizuar nga delegacioni i BE-së në Shqipëri si pjesë e fushatës “BE për Edukimin”.

Ndërsa fushata nxori në pah gjithë nismat e mbështetura nga Bashkimi Evropian, hackathon-i mblodhi dhjetëra novatorë të rinj nga Shqipëria, duke demonstruar se si brezi i ri mund të punojë drejt një të ardhmeje ku shoqëria është e vetëdijshme për çështjet mjedisore dhe mbështet jetesën e gjelbër.

Një tjetër fituese, ideja e së cilës trajton sfidat mjedisore është Olisa Sinani, një stiliste dhe studente mode në Universitetin e Arteve në Tiranë. Ajo ka fituar sfidën “Moda e Qëndrueshme” me “Pëlhurën e Rilindjes”, një nismë e ndërtuar mbi parimet thelbësore të modës së qëndrueshme: zvogëlimin e mbeturinave duke ricikluar rrobat që përndryshe do të përfundonin në groposje, promovimin e ripërdorimit dhe transformimit ndërsa çdo material i vjetër merr një formë të re dhe të vlefshme, mbështetjen e ekonomisë vendore përmes bashkëpunimit me artizanët shqiptarë, rritjen e ndërgjegjësimit të komunitetit duke i përfshirë njerëzit në veprime të prekshme mjedisore dhe krijimin e produkteve afatgjata me një histori për të treguar.

Fituesja e tretë vjen nga kategoria e “Turizmit të Qëndrueshëm”, një nismë e krijuar për të ndihmuar turistët dhe aventurierët që shijojnë malet, duke siguruar një përvojë më të sigurt dhe më të këndshme për ata që udhëtojnë nëpër terrene të paeksploruara.

“HikeMate” do të jetë një aplikacion i dedikuar aktiviteteve malore dhe turizmit në natyrë, që ofron një gamë shërbimesh, përfshirë mjete navigimi, paralajmërime për motin dhe rreziqet, organizimin e takimeve, ndarje përvojash me komunitetin dhe këshilla të personalizuara mbi etikën në natyrë. Përdoruesit do të mund të gjurmojnë dhe shënojnë rrugët e tyre duke përdorur GPS për të siguruar navigim të saktë dhe pa humbje. Aplikacioni do të funksionojë edhe pa internet, duke ofruar informacion në kohë reale në lidhje me kushtet e motit dhe rreziqet e mundshme natyrore, duke i paralajmëruar përdoruesit për çdo rrezik në zonë dhe duke rekomanduar rrugë alternative më të sigurta”, thotë Katerina Bllaca. (8 maj)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.