Rritje mbi 30% krahasuar me vitin 2022
Rreth 5,2 milionë shtetas të huaj vizituan Shqipërinë gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2023.
Të dhënat e Institutit të Statistikave (INSTAT) tregojnë se numri i shtetasve të huaj është rritur me 30,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Gjatë shtatëmujorit, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me rreth pesë milionë shtetas, sidomos italianë, spanjollë dhe polakë, pasuar nga Amerika, Azia Lindore dhe Paqësori, përkatësisht me 131 236 dhe 34 3721 shtetas.
Ndërkohë, numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë shtatëmujorit 2023 është 3 734 813 ose 21,4% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një vitit të kaluar./ (25 gusht)
INSTAT: 1,7 milionë të huaj vizituan Shqipërinë në korrik
Raporti i fundit i INSTAT-it tregon se numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar gjatë muajit korrik shënoi rritje me 26,2%, duke arritur në 1 770 724, pjesa më e madhe e të cilëve janë evropianë.
Referuar INSTAT-it, numri i shtetasve evropianë gjatë korrikut llogaritet në 1 694 657.
Nga Amerika u regjistruan 45 821 shtetas, ndërsa nga Lindja e Mesme 14 805 shtetas.
Vetëm gjatë këtij sezonit turistik veror, nga majii deri në fund të korrikut numërohen 3 482 836 shtetas të huaj që vizituan vendin tonë.
Autoritetet në vend kanë deklaruar se numri i pushuesve që kanë zgjedhur Shqipërinë këtë vit, si destinacion ka kaluar pritshmëritë, ndërsa një raport i Organizatës Botërore të Turizmit e renditi Shqipërinë të parën në Evropë për tre muajt e parë të këtij viti për rritjen e numrit të turistëve.
Jo vetëm bregdeti, por edhe Tirana dhe Alpet Shqiptare janë destinacionet e preferuara./ (26 gusht)
OBT: Shqipëria e treta në botë për rritjen e turizmit
Organizata Botërore e Turizmit e renditi Shqipërinë në vendin e tretë për rritjen në turizëm, pas Katarit dhe Arabisë Saudite.
Kryeministri Edi Rama publikoi statistikat më të fundit të OBT-së, të cilat i referohen periudhës qershor 2022-qershor 2023.
“Tabela krahasuese… nga Organizata Botërore e Turizmit, ku Shqipëria renditet e treta për rritjen në turizëm, pas Katarit dhe Arabisë Saudite’’, shkruan Rama.
Sipas INSTAT, numri i turistëve që vizituan Shqipërinë vijoi rritjen edhe përgjatë muajve qershor, korrik dhe gusht.
Konkretisht, numri i vizitorëve jorezidentë është rritur me 76,4% në qershor, krahasuar me qershorin e vitit të shkuar. Në total numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 49,7%, në krahasim me qershorin e 2022./ (26 gusht)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.