Në Tiranë u mbajt konferenca e Komisioneve Parlamentare për Integrimin Evropian/Çështjet Evropiane të Shteteve Pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizimit dhe Asociimit të Evropës Juglindore.
Në këtë takim i cili mblidhet nën presidencën shqiptare, merrnin pjesë delegacione parlamentare nga Mali i Zi, Bosnjë Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut Turqia, ndërsa të ftuar ishin edhe delegacione nga Ukraina, Moldavia, dhe Gjeorgjia.
Kryetarja e Komisionit të Kuvendit të Shqipërisë për Europën dhe Punët e Jashtme, Jorida Tabaku në cilësinë e organizatores, deklaroi se integrimi në Bashkimin Europian në Shqipwri është qëllim i përbashkët i të gjitha forcave politike, ndërsa shprehu gatishmërinë dhe angazhimin e opozitës që ky proces të vijojë.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali theksoi se mbështetja popullore për anëtarësimin në BE në Shqipëri është më e madhe se në çdo vend tjetër kandidat.
“Shqipëria nuk ka asnjë plan B, por vetëm një plan A për të ardhmen e saj që është BE”, tha Spiropali.
“Shqipëria ka shpallur aktualisht anëtarësimin në BE brenda vitit 2030, si një objektiv strategjik kombëtar”, tha Spiropali, teksa shtoi se, “ne synojmë përfundimin e procesit të negociatave brenda vitit 2027”.
I pranishëm në konferencë, I Ngarkuari me Punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian, André Rizzo u ndal tek plani i rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor duke theksuar se ky plan sjell përfitime për rajonin.
“Vijimësia në përputhshmërinë e plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së siç është rasti i Shqipërisë duhet të jetë objektiv i përbashkët. Në një kontekst kompleks gjeopolitik që po ndryshon shumë shpejt, bashkimi ynë, i të gjitha vendeve tona për t’u bërë ballë sfidave e krizave është shumë i rëndësishëm dhe këto kriza mund të jenë lufta e paligjshme e Rusisë kundër Ukrainës ose ndryshimet klimaterike”, nënvizoi Rizzo. (28 shkurt)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.